Ministri Peci: Kosova ka nevojë për mbështetjen e BE-së në sektorin e bujqësisë
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Në kuadër të Samitit të G7 i cili po mbahet në Berlin, nën organizimin e Ministrisë së Jashtme Federale, Ministrisë Federale e Ushqimit dhe Bujqësisë dhe Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik u organizuan edhe tre forume diskutimi dhe grupe të punës, ku në forumin me temën “Veprimet për një Sistem të Qëndrueshëm Ushqimor dhe Bujqësi” kryesuar nga homologu gjerman, Cem Ozdemir mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Në këtë forum, ministri Peci pati rastin të marrë fjalën, ku ndër të tjera theksoi disa nga hapat e ndërmarrë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Qeveria e Kosovës, me qëllim të lehtësimit të veprimtarisë bujqësore për bujqit kosovarë, si dhe kontributin direkt në sigurimin e rezervave ushqimore, përmes programeve mbështetëse të MBPZhR-së.

 Me këtë rast, ministri Faton Peci u shpreh se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian në sektorin e bujqësisë, qoftë përmes investimeve të huaja për të cilat kemi potencial të lartë si vend, por më e rëndësishmja është ajo përmes mundësimit të akreditimit të Kosovës në fondet e para-anëtarësimit IPARD në bujqësi.

“Këto fonde do të ishin një shtysë e ndihmesë e madhe për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e sektorit të bujqësisë në Kosovë, si në prodhim, përpunim e ngritje të kapaciteteve njerëzore”, tha mes tjerash Peci.

Vlen të theksohet se gjatë forumit me temën “Përpjekjet Diplomatike dhe Veprimi i Menjëhershëm Humanitar”, të pranishmëve në mes të tjerëve iu adresua edhe Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J. Blinken, i cili shprehu qëndrimet e SHBA-ve ndaj krizës ushqimore. Ndërsa, gjatë forumit “Koordinimi i Veprimit në një Aleancë Globale për Sigurinë Ushqimore”, ministrja e Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Svenja Schulze, adresoi pikëpamjen e qeverisë gjermane dhe hapat konkret që duhen ndërmarrë me qëllim të unifikimit të veprimeve të cilat do të zbusin krizën e sigurisë ushqimore në mbarë globin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024