Klubi londinez Chelsea ia ka konfirmuar Atletico Madridit që nuk do të aktivizojë opsionin për ta blerë mesfushorin spanjoll, Saul Niguez.
Sipas gazetarit të njohur, Fabrizio Romano, vendimi për të mos aktivizuar klauzolën prej 35 milionë eurove ishte bërë para disa javësh nga Chelsea.
Largimin nga Chelsea e ka konfirmuar edhe vetë mesfushori spanjoll, i cili në “Twitter” shkroi një letër lamtumire drejt tifozëve të “Bluve” dhe klubit.
“Përshëndetje ‘Blu’, po shkruaj me rastin e largimit tim nga ju. Do të doja të falënderoja klubin që u përpoq të kujdeset për çdo detaj për të më bërë të ndihem si në shtëpinë time. Do të doja gjithashtu të vlerësoja secilin punëtor, faleminderit. Faleminderit që e bëtë këtë klub shumë më të madh”, shkruante Saul.
Saul arriti të bëjë vetëm 23 paraqitje për Chelsean gjatë 12 muajve të tij në “Stamford Bridge”, ku nga to, Saúl përfundoi 90 minuta lojë në vetëm pesë raste, dy prej të cilave erdhën në fitoret e FA Cup kundër Chesterfield dhe Luton Town respektivisht, nga të cilat ai shënoi golin e tij të vetëm për klubin në një fitore 3:2.