Gazetarët në veri të Serbisë po përballen me “nivele të paprecedente” të kanosjes, përfshirë kërcënime me dhunë fizike. Dinko Gruhonjiq ka gjetur kërcënime me vdekje të shkruara para shtëpisë së tij. Ai është një ndër shtatë gazetarë në Serbi që janë kërcënuar gjatë marsit. Gazetarët në Serbi luftojnë kundër valës së kërcënimeve me vdekje. Ata kanë fshirë një mbishkrim kërcënues para shtëpisë së një gazetari. Gazetari Vladimir Jeshiq, i cili mori pjesë në fshirjen e këtij mbishkrimi kërcënues tha se me këtë po e mbrojnë një person, i cili po kryen vetëm punën e tij profesionale. Kërcënimi shënjestroi gazetarin Dinko Gruhonjiq, pasi aty shkruhej “Bëhu gati për amshim”. Vetë gazetari foli për mesazhin e qartë kërcënues me vdekje.
“Sikurse herën e kaluar, këtë e ka pa edhe vajza jonë e vogël. Unë e përjetova mesazhin si kërcënim të qartë me vdekje. Kjo është hera e dytë që ata praktikisht më erdhën te pragu i derës. Mesazhi është shumë i qartë. E dimë se ku jeton. Dhe, hapi i radhës për ta është ta kalojnë pragun e derës sime,” tha ai. Mbishkrimi ishte i nënshkruar nga grupi djathtist “Srpska Vojvodina”. Gruhonjiq është në mesin e shtatë gazetarëve serbë që janë kërcënuar gjatë marsit. Ai ka qenë në shënjestër të një fushate publike njollosjeje dhe të videoje të manipuluar. Ajo sugjeronte se Gruhonjiq ishte krenar të ishte emnak i një krimineli të Luftës së Dytë Botërore.“Nuk është aspak e këndshme. Ne ende nuk mund të themi se nuk e kthejmë kokën prapa kur shkojmë diku.” Kërcënimet janë në nivele të paprecedente në Serbinë Veriore, thotë Federata Evropiane e Gazetarëve. Edhe Ana Laliq Hegedish nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës thotë se është përballur me kërcënime. “Ne nuk kemi mjete për t’i luftuar ata. Një gjë tjetër, ne s’mund t’ua kthejmë në të njëjtën mënyrë: të pistë, me gënjeshtra, me vrazhdësi, me agresion. Nuk mundemi.” Autoritetet serbe kanë hapur hetime për kërcënimet ndaj Gruhonjiq, por disa orë pasi kërcënimi te pragu i derës së tij u fshi, u paraqit një tjetër mbishkrim. /REL