Parlamenti i Maqedonisë së Veriut filloi pasditen e së premtes seancën për shkarkimin e dy ministrave nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, me kërkesë të ish-kryetarit të kësaj partie, Ziadin Sela, pas përplasjeve me kreun aktual, Arben Taravari.
Krahu i drejtuar nga Taravari vendosi që t’i bashkohet opozitës shqiptare për zgjedhjet e pritshme në maj dhe kjo po shkakton përçarje brenda partisë. Koalicioni qeverisës ka një shumicë të brishtë në parlament, por duket se i arrin votat e nevojshme për ndryshimet në kabinetin qeveritar.Krahu i Ziadin Selës ka propozuar për ministër të ri të shëndetësisë Ilir Demirin, mjek – infektolog dhe drejtor aktual i Spitalit të Tetovës dhe për ministër të Shoqërisë Informatike, Naim Bajramin, ish-zëdhënës i partisë.
Kryeministri Talat Xhaferi shpjegoi detyrimet ligjore sa i takon shkarkimit apo zëvendësimit të ministrave të një subjekti politik në qeveri.
Për shkarkimin dhe miratimin e ministrave të rinj nevojitet shumica prej 61 deputetëve nga 120 sa ka parlamenti. Shumica parlamentare, sipas bashkërenduesit të ligjvënësve të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Adnan Neziri, i ka votat e nevojshme për këtë.
Mbi tridhjetë deputetë janë paraqitur për fjalim lidhur me çështjen.
Taravari tha se delegatët zyrtarisht vendosën që partia t’i bashkohet opozitës, por krahu i Sela thotë se në takim nuk kanë marrë pjesë shumica e nevojshme e delegatëve dhe vendimin e quan jo legjitim. Ky krah pritet që nesër mbrëma në Shkup ta mbledhë Kuvendin e partisë për të marrë vendime të mëtutjeshme.
Ziadin Sela dhe krahu i tij, përfshirë gjashtë nga tetë ligjvënësit e Aleancës për Shqiptarët si dhe ministri i Drejtësisë, thonë se janë shpërfillur të gjitha organet drejtuese të partisë, teksa ideja e tyre ishte që partia të dilte e vetme në zgjedhjet e 8 majit.
Përplasjet e thelluan edhe më tepër në mes drejtuesve dhe eksponentëve të lartë të partisë, ndërsa u njoftua edhe për një incident fizik në mes aktivistëve të saj.
Më pas, në oborrin e shtëpisë së Arben Taravarit u gjet një plumb, si mesazh kërcënues për jetën e tij, ndërsa autoritetet e rendit nuk e kanë zbuluar ende autorin e kësaj vepre.