Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi vizitë dhe takim me drekë pune me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, i cili e mirëpriti në Pallatin Elize në Paris.
Presidenti Macron e uroi edhe njëherë kryeministrin Kurti për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Francës ndaj Kosovës.
U theksua roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.
“Në takim u diskutua për integrimet dhe sigurinë në Evropë. Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, thuhet nw njoftim.
Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës.










