LVV thotë se s’ka përplasje në raportet Kosovë-ShBA, PDK e shqetësuar
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria nuk ka asnjë përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por thjesht ka mendime të ndryshme në raport me procesin dhe agjendën e dialogut. Por ndryshe është shprehur shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se është shqetësues raporti i kryeministrit Kurti me ShBA-në.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka pasur. Ne mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin dhe agjendën e dialogut, siç është diskutuar dhe prezantuar disa herë nga kryeministri i Kosovës”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Sipas deputetit opozitar, Kosova asnjëherë s’ka pasur raporte të tensionuara të tilla me ShBA-në.

“Gjendja e vendit tonë të cilën e ka pruar kjo qeveri karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës është mjeruese. Ishte shqetësuese dhe tmerruese, raportimi i ambasadorit tonë në Uashington për trajtimin që i bëhet ambasadës apo vendit tonë në Amerikë. Brutaliteti të cilin ai e shpjegon që trajtohet kjo qeveri dhe ky kryeministër përmes ambasadës sonë është shqetësuese dhe tmerruese. Asnjëherë s’ka pas raporte të tilla prej vendosje së ambasadës sonë atje”, tha ai.

Sa i përket takimit të nesërm të thirrur nga Ambasada amerikane në Prishtinë për Asociacionin, Kusari-Lila, tha se qeveria është e përfaqësuar nga disa ministra nga dikasteret e ndryshme. Mirëpo, ajo theksoi se mund të ketë iniciativa për diskutim për Asociacionin, mirëpo asgjë nuk mund të bëhet pa përfshirjen e institucioneve kryesore të vendit.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar nga pozita ministra të dikastereve të veçanta që vlerësojnë se mund të kontribuojnë në diskutimin për çështjen e asociacionit dhe natyrisht përfaqësues të partive opozitare dhe shoqërisë civile. Nga pozita ka mjaftueshëm ministra dhe përfaqësues të kabineteve të zyrtarëve të lartë për të diskutuar... Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër. Në Kosovë janë organet, rendi kushtetues i Kosovës është parlamenti, qeveria dhe natyrisht komunat me qeverisjen lokale. Prandaj nuk ka forma apo mekanizëm tjetër që mund të themelojë apo krijojë apo strukturë. Ekzistojnë nisma të shoqërive civile dhe natyrisht organizatave, por në aspektin e efektit ligjor dhe të obligueshëm janë këto institucione që përmenda”, deklaroi ai.

Ndërsa, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri i kërkoi kryeministrit Kurtit t’i jep drejtim kërkesave amerikane për Asociacionin.

Ai e quajti të paguximshëm Kurtin, teksa shtoi se përgjegjës për gjendjen e krijuar nuk është opozita.

“Përgjegjës nuk është opozita për gjendjen e krijuar, por qeveria e drejtuar nga Albin Kurti. Ky është personi që duhet t’iu jep drejtim kërkesave të cilat kanë ardhur nga ShBA-ja. Çfarëdo tentimi tash, jo më kanë thirrur mua, s’më kanë thirr, kjo është një lojë fjalësh e tij. Ai është përgjegjës dhe përgjegjësia duhet të drejtohet tek ai... Çfarëdo qëndrimi ynë në këtë rast është mos me thënë i parëndësishëm nuk shkon me atë që po kërkon ShBA-ja. Normalisht një konsensus më i gjerë për çfarëdo veprimi që merret në vendin tonë që flitet për organizimin tonë shtetëror dhe territorial është mirë me pas një konsensus sa më të gjerë. Mirëpo në këtë rast personi në fjalë që është adresa nuk mundet me i ikë përgjegjësisë, ai duhet ta trajtojë këtë çështje. Ne si opozitë kemi shkuar shumë larg, madje i kemi thënë nëse je kundër sjellje marrëveshjen e vitit 2013 dhe rrëzoje me vota, po të përkrahim. Nëse je kundër merre një veprim njëanshëm, dhe rrëzoje marrëveshjen, por ai nuk ka guxim me bërë një gjë të tillë. Në fakt ai nuk ka guxim me bërë asnjë veprim”, tha ai.

https://kosovapress.com/kusari-lila-mohon-se-ka-perplasje-te-qeverise-me-shba-te-per-asosiacionin/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024