‘Lisi” francez i Spurs, Wembanyama bën kërdi ndaj Timberwolves, pas kthimit nga përjashtimi
Sport
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
‘Lisi” francez i Spurs, Wembanyama bën kërdi ndaj Timberwolves, pas kthimit nga përjashtimi
Timberwolves Spurs Basketball
13/05/2026 - 10:50
Linku u kopjua

Victor Wembanyama kishte të paktën një bashkëlojtar që shpresonte se superylli i San Antonio Spurs do të rikthehej i zemëruar, në ndeshjen e radhës të ekipit, të martën mbrëma.

Nga ana tjetër, trajneri i tij priste një qasje të pjekur nga francezi, pas përjashtimit të parë në karrierë, një ndeshje më herët.

Spurs morën të dyja, “për fatin e keq” të Timberwolves.

“Ato nuk përjashtojnë njëra-tjetrën”, tha Wembanyama. “Po kërkoj të dyja”.

Ai shënoi 27 pikë, bëri 17 kërcime, 5 asistime dhe 3 bllokime, ndërsa San Antonio mposhti Minnesotan 126-97, për të kaluar në epërsi 3-2 në serinë e raundit të dytë të plau offit në konferencën perëndimore në NBA.

“Mendoj se e pamë Vic-in që kemi parë gjatë gjithë vitit,” tha mbrojtësi i Spurs, Stephon Castle. “Niveli i tij i pjekurisë ishte jashtëzakonisht i lartë. Luajti me mençuri, nuk bëri shumë faulle, mori gjuajtjet që iu ofruan. Kur ai luan kështu, agresivisht dhe me gjithçka që na sjell në mbrojtje, është shumë vështirë të mposhtemi.”

Wembanyama u përjashtua nga ndeshja 4 të dielën mbrëma për shkak të një goditjeje me bërryl në fillim të çerekut të dytë, duke u përplasur me Naz Reid dhe Jaden McDaniels të Minnesotës gjatë një kërcimi.

Gjyqtarët e rishikuan aksionin dhe e vendosën që veprimi i Wemby të jetë në nivelin e quajtur  “Flagrant 2”, që sjell automatikisht përjashtimin. NBA, siç vepron gjithmonë në këto raste, e rishikoi incidentin pas ndeshjes dhe vendosi të hënën se përjashtimi ishte i mjaftueshëm. Liga mund ta kishte gjobitur apo edhe pezulluar Ëembanyaman për ndeshjen 5, por edhe ndonjë tejtër më pas, nëse do ta konsideronte të nevojshme.

“Nuk mendoj se e kemi diskutuar shumë fare,” u tha gazetarëve Mike Conley Jr. i Timberwolves gjatë stërvitjes të martën. “Kur doli vendimi, thjesht e pritëm dhe vazhduam përpara. Nuk duam që lojtarët të mungojnë. Duam të luajmë kundër më të mirëve.”

Edhe para se të konfirmohej se do të luante në ndeshjen 5, ylli francez me 2.24 metra gjatësi, vazhdoi rutinën e zakonshme përgatitore. Ai e la shpejt pas incidentin, deri në atë pikë sa gaboi edhe në përshkrimin e kohës mes lojës 4 dhe 5.

“Dua të them, ishte para dy ndeshjesh,” tha Wembanyama. “Janë ‘playoff’-et. Jam i fokusuar. Isha i fokusuar në ndeshjen e sotme dhe tani po fokusohem në ndeshjen pas tri ditësh. Duhet të ecim përpara dhe të kujdesem për ekipin tim.”

Minnesota Timberwolves forward Julius Randle (30) drives to the basket against San Antonio Spurs forward Victor Wembanyama (1) during the second half of Game 5 of an NBA basketball second-round playoffs series in Minneapolis, Tuesday, May 12, 2026. (AP Photo/Eric Gay)

San Antonio ka mundësinë të arrijë finalen e Konferencës Perëndimore të NBA për herë të parë që nga viti 2017 dhe paraqitjet historike të Wembanyama në playoff kanë qenë vendimtare.

Francezi, që ka vetëm 22 vjet e 128 ditë, është lojtari i tretë më i ri në historinë e NBA-së që regjistron 25 pikë, 15 kërcime dhe pesë asistime në një ndeshje playoff-i, pas amerikanit Magic Johnson (me 20 vjet e 276 ditë) dhe sllovenit me prejardhje nga Kosova, Luka Donçiq (21 vjeç e 177 ditë).

Ai vendosi “ritmin” herët në ndeshje, duke u bërë lojtari i parë i Spurs, që nga Tim Duncan, në vitin 2002, me 20 pikë dhe 10 kërcime në pjesën e parë të një ndeshjeje playoff-i.

Edhe pse seria vazhdoi të ishte shumë fizike, Wembanyama mbeti i qetë.

Pasi u përball me Ayo Dosunmu të Minnesotës pas një përplasjeje me McDaniels në çerekun e parë, qendra e Spurs vrapoi i pandalur drejt koshit për një “windmill dunk” (ngulitje me rrotullim të krahut) spektakolar.

“Po, ndjej se provokimi për të më nxitur zemërimin mund të ketë qenë një nga strategjitë”, tha Wembanyama. “Mendoj se duhet të qëndrojmë të përmbajtur si ekip.”

Francezi e përfundoi ndeshjen me vetëm një faull personal. Ai realizoi 9 nga 16 gjuajtje nga loja, përfshirë 2 nga 5 për tri pikë.

Spurs zhvillojnë ndeshjen e radhës, të 6-tën, të premten. Nëse e fitojnë, futen në finalen e madhe të Konferencës Perëndimore të NBA, ku i pret Oklahoma Thunder, kampioni aktual i ligës më të fortë të basketbollit në botë.  

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026