Shoqata Rent A car Kosova ka shprehur shqetësimin për ndryshimin e ligjit të komunikacionit, i cili po shkakton probleme të mëdha për bizneset që operojnë me dhënien e veturave me qira. Anëtarë të kësaj shoqate problem e shohin konfiskimin e veturave të kompanive nga ana e Policisë së Kosovës për veprime të klientëve.
Të njëjtit derisa vlerësojnë se ky ligj ka nevojë për rishikim të plotë, thonë se po i dëmton bizneset edhe në aspektin financiar. Ndryshim të ligjit kërkon edhe opozita, derisa nga partia në pushtet kanë deklaruar se janë informuar me problemin që kanë këto kompani, dhe shumë shpejtë do të dalin me një përgjigje konkrete për këtë çështje.
Kryetari i Shoqatës Rent Car Kosova, Albion Shala, i cili përfaqëson rreth 100 anëtarë, biznese të cilat operojnë në dhënien e makinave me qira, thotë se është absurde që të konfiskohet vetura e kompanisë për probleme që ka klienti me ligjin e komunikacionit.
Shala thotë se pas marrjes së ankesave nga anëtarët e kësaj shoqate, do të angazhojnë një avokat dhe do t’i drejtohen Ministrisë së Infrastrukturës që të bëhet ndryshimi i këtij ligji.
Të shqetësuar me këtë shprehen edhe vet pronarët e bizneseve që japin vetura me qera. Ata derisa kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të ndryshohet ligji, thonë se janë të detyruar të paguajnë shërbimet për veprime të klientëve. Pronari i njërit nga bizneset në vend, Kushtrim Shaqiri derisa thotë se kanë problem me ligjin e ri të komunikacionit, shton se herën e parë kur i është konfiskuar vetura për veprime të klientit, ka paguar 175 euro për bartje të automjetit dhe qiranë ditore, mirëpo shton se kjo shumë ndryshon varësisht prej qyteteve.
Ai shton se në vendimin që i është kthyer automjeti, është paralajmëruar se është hera fundit që mund t’i lirohet vetura me këtë arsyetim. I shqetësuar shprehet me mënyrën që përveç veturës, konfiskohet edhe çelësi i veturës, për çfarë shpreh dyshimet se mund t’i keqpërdoret edhe vetura.
Shaqiri thotë se nëse vazhdon kjo gjendje, dëmet financiare që do humbasin janë të mëdha.
Edhe pronarë të tjerë që kanë biznese të njëjta, prapa kamerave të KosovaPress-it, kanë thënë se ky ligj duhet të ndryshohet.
Se ky ligj duhet të ndryshohet e thonë edhe deputetet nga opozita. Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala konsideron se ligji do duhej të rikthehet në një procedure krejtësisht të re dhe të rishkruhet.
Edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se është e padrejtë të konfiskohen veturat e kompanive për shkak veprimeve të klientëve.
Për këtë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se do të konsultohen me institucionet tjera relevante për të parë mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi. Deputetja Fitore Pacolli thotë se shumë shpejtë do të dalin me një përgjigje konkrete për veprimet që do të ndërmarrin në këtë drejtim.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Infrastrukturës për këtë çështje, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme.
Kujtojmë se nga 3 prilli i këtij viti ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ka për qëllim rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronës së pjesëmarrësve në trafik, lehtësimin e zhvillimit normal të rrjedhës së trafikut, si dhe mbrojtjen e ambientit. Mirëpo, me këtë ligj janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në trafik.
Policia ka njoftuar se me këtë ligj shumë kundërvajtje për pjesëmarrësit në trafik shoferë, pasagjerë apo këmbësorë janë përshkallëzuar me gjoba të ndryshme.
Disa nga risitë e këtij ligi që kërkohet të respektohen nga pjesëmarrësit në trafik mund t’i shihni në vijim.
- Mos vendosja e rripit të sigurisë
- 150 € shoferi dhe të gjithë personat të cilët gjenden në mjet duhet t’i përdorin rripat e sigurisë, siç parashihet nga prodhuesi.