Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për "veprim urgjent" kundër lisë së majmunëve në Evropë pasi numri i rasteve në kontinent u trefishua në dy javë.
Në një deklaratë, drejtori rajonal i OBSH-së u bëri thirrje vendeve evropiane që të rrisin përpjekjet e tyre për të parandaluar përhapjen e lisë së majmunëve në një zonë më të madhe gjeografike.
Sipas të dhënave nga kjo agjenci shëndetësore e OKB-së, Evropa tani ka më shumë se 4500 raste të konfirmuara laboratorike të sëmundjes, ose tre herë më shumë se në mes të qershorit.
Kjo përfaqëson 90 për qind të rasteve të regjistruara në botë që nga mesi i majit, kur sëmundja, deri atëherë endemike vetëm në një duzinë vendesh afrikane, filloi të përhapet në Evropë.
Ekspertët e OBSH-së vlerësuan të shtunën se rritja e numrit të rasteve paraqet një kërcënim shëndetësor, zhvillimi i të cilit është shumë shqetësues, por që në këtë fazë nuk arrin nivelin e një emergjence shëndetësore globale.
Pavarësisht këtij vendimi, përhapja e shpejtë dhe natyra urgjente e kësaj ngjarje do të thotë që komiteti së shpejti do të rishqyrtojë pozicionin e tij, tha OBSH për Evropë.