LDK: Qeveria po mirëmban grevën, mbështesim kërkesat e mësimdhënësve
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se është duke mirëmbajtur grevën në arsim dhe duke shkaktuar kriza të njëpasnjëshme. Kryetarja e Forumit të Gruas së kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu në një konferencë për media se nuk ka ndodhu asnjëherë në historinë e Kosovës që greva të zgjasë kaq shumë për mungesë të vullnetit të një qeverie për të gjetur zgjidhje.

Lushaku-Sadriu u shpreh se nuk ka më asnjë justifikim që kjo situatë të vazhdojë më tutje ndërsa kritikoi kryeministrin Albin Kurti se gjen mundësinë për të tallur mësimdhënësit por jo edhe për t’i takuar të njëjtit.

“Nuk ka asnjë justifikim që kjo krizë të mirëmbahet nga qeveria jonë. Ajo është përgjegjëse për të prodhuar zgjidhje. Për më tepër kjo qeveri është duke kontribuar në krijim të pabarazisë totale në mes të fëmijëve tanë. E dini që kjo qeveri është thirrur në parime të barazisë por duke bllokuar procesin mësimor në shkollat publike dhe duke lejuar funksionimin e shkollave private, ka krijuar një pabarazi në mes nxënësve të shkollave publike të cilët nuk janë të barabartë me ato të shkollave private”, tha ajo.

LDK mendon se ekzekutivi është duke bërë presion te shkollat për të filluar mësimin, ndërsa sipas Lushtaku-Sadriut fakti që disa shkolla kanë nisur mësimin e disa të tjera jo e thellon edhe më shumë pabarazinë.

“Trysnia që kjo qeveri po e bën tek disa shkolla publike për të filluar në mënyrë parciale e thellon edhe më tepër pabarazinë. I ndan edhe nxënësit e disa shkollave publike për tu dalluar nga disa shkolla të tjera. Krejt kjo bëhet për shkak të mos dëshirës së kryeministrit dhe kësaj qeverie për të prodhuar një zgjidhje”, vijoi.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK deklaroi se kërkesat e mësimdhënësve janë legjitime ndërsa u shpreh se mbështesin çfarëdo lloj zgjidhje nga ana e qeverisë që do t’i jepte fund grevës dhe të fillonte mësimi.

“LDK ka qenë e gatshme të ndihmojë në këtë krizë dhe kemi dalë sa herë kemi bërë thirrje për dialog, propozimi që të dialogohet kurrë pa dalë për të ardhur deri në një zgjidhje. Pa dialog nuk mund vish as tek zgjidhja. Ne nuk e dimë cili do të ishte kompromisi por mendojmë që kërkesat e mësimdhënësve janë legjitime posaçërisht në këtë kohë krize kur mësimdhënësit janë duke u ballafaquar me luftë për ekzistencë. Mendojmë dhe do ta përkrahim çfarëdo zgjidhje që do të sillet nga qeveria që e zhbllokon grevën dhe mësimi të fillojë qysh nesër”, u shpreh ajo.

Lushtaku-Sardiu tha se si parti janë në favor që Projektligji i pagave të hyjë në fuqi sa më parë duke kërkuar largimin e nenit që thotë se hyn në fuqi 8 muaj pas miratimit në Kuvend.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka hyrë në grevë që nga data 25 gusht. Atyre iu janë bashkangjitur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) duke refuzuar që të nis mësimin. Megjithëse disa shkolla nëpër komuna të ndryshme tashmë kanë bojkotuar grevën duke hapur dyert për nxënësit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024