Në lansimin e raundit të ri të programit të bursave të nivelit master “Young Cell Scheme” për vitin akademik 2023-2024, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se ky është një prej projekteve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ai tha se mbi 360 studentë janë dërguar për studime jashtë vendit që nga viti 2004 në kuadër te këtij programi.“Janë punësuar brenda administratës publike dhe kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve. Qeveria jonë mbetet e përkushtuar të avancojë me tej këtë proces të reformave duke shfrytëzuar projektin si një prej mundësive më të mira”, tha ai.
“Projekti është unik sepse mundëson rritjen e menjëhershme te disa objektivave, arrijmë të përgatisim të rinjtë tanë në fusha specifike, ne sigurojmë që asnjë të mos mbetet pa punë pas këtyre studimeve.
Ndërsa shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se ky program ka filluar në vitin 2004 ndërsa nga raundi i 11 i tij, Qeveria e Kosovës ka filluar ta bashkëfinancojë atë.
“Në këtë raund ne ndajmë 4.5 milionë euro ndërsa, 1.5 milionë qeveria. Ky program kontribuon për përmirësimin e cilësisë së administratës publike në Kosovë. Me anë të këtij programi ne ndërtojmë kapacitete profesionale të shërbyesve civil te Kosovës më fusha ku nevojitet më së shumti. Ndihmon për të siguruar që shërbyesit civil të punojnë në përputhje me standardet e BE-së dhe e qojnë Kosovën drejt rrugës së BE-së dhe më afër anëtarësimit në BE”, tha ai.