I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak beson se ekziston një momentum për takim në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në një konferencë për media në Prishtinë, Lajçak ka thënë po angazhohet për një takim në mes të liderëve të dy shteteve në korrik të këtij viti, duke shtuar që këtë synon ta bëjë para pushimit të verës në kryeqendrën evropiane. Ai ka përmendur disa dokumente që sipas tij janë para finalizimit për çka ka thënë se nevojitet vendim i nivelit politik.
Lajçak ka thënë se gjatë vizitës në Kosovë është takuar me krerët e shtetit me të cilët ka thënë se ka biseduar për situatën aktuale në dialog dhe hapat tutje.
“Takimin e radhës do ta kemi në korrik dhe gjithashtu jemi duke punuar që t’i takojmë të udhëheqësit, kryeministrin Kurtin dhe presidentin Vuçiq, dhe realisht do të dëshiroja që kjo të ndodh para pushimeve verore por jemi duke punuar që të krijojmë mundësitë për këtë. Ka një numër të dokumenteve të cilat jemi duk i diskutuar, një dokument i rëndësishëm i lidhur me personat e zhdukur, një dokument i rëndësishëm i lidhur me bashkëpunimin rajonal...Ndjej se e kemi momentumin, vrullin që të fillojmë takime më të shpeshta, më të rregullta në nivel të udhëheqësve, siç e thash ekipet negociatore po punojmë mjaft mirë por normalizimi është përgjegjësi e udhëheqësve, kështu që plani ynë është të kemi takime më të shpeshta të rregullta në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq”, ka thënë Lajçak.
Ai ka përmendur dokumente të tjera, sipas tij, para finalizimit për çka ka thënë se nevojitet vendim i nivelit politik.
Ndërsa i pyetur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Lajçak ka thënë se marrëveshjet duhet të zbatohen.
“Është zotimi të cilin e ka pranuar Kosova, përfshirë këtu person ratifikimit përmes Kuvendit, për këtë arsye siç e thash ka një parim të mirënjohur të së drejtës ndërkombëtare që thotë ajo që është pajtuar duhet të zbatohet, kjo nuk është diçka që Brukseli e kërkon, kjo është diçka që është pajtuar në mes të palëve në dialog, në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç ju thash, ajo që është pajtuar duhet të zbatohet, ka edhe siç çështje të tjera normalisht në listën time të Kosovës dhe atë të Serbisë, por siç e dini kjo është mjaft e ndjeshme, sepse Serbia e sheh këtë si çështjen më të rëndësishme për ta, nuk mund t’i ikim kësaj çështje dhe kjo nuk është vetëm t’i kënaqim Bashkimin Evropian, por më të vërtetë të shtyjmë procesin përpara”, ka thënë ai.
“Jemi duke punuar që t’i japim shtytje politike formateve ekzistuese, grupeve punuese, të përshpejtojmë punën e grupeve punues. Ende i kemi 1621 fate njerëzore të cilat ende nuk janë të qartë, me të vërtetë nuk mund të ndalemi derisa të zbulohen të gjithë të zhdukurit, dhe ky është prioritet i imi personal dhe po shpresoj që do të miratohen dokumentet me të cilat po punojmë, shumë shpejtë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka përmendur miratimin e udhërrëfyesit për zbatimi ne marrëveshjes për energjinë çka sipas tij tregon hapat konkret për zbatimin e marrëveshjeve dhe i jep fund praktikave jotransparente që të gjitha komunat e Kosovës të kenë të njëjtat obligime.
Ai ka thënë se nuk mund të thotë se kur do të ndodh liberalizimi i vizave por sipas tij vëmendja dhe mbështetja për këtë çështje nuk ka qenë asnjëherë me e madhe.
“E dini që në këtë kohë vendimi është në duart e shteteve anëtare, por çka mund të ju them me siguri është se asnjëherë nuk ka qenë më e pritshme se sa është tani. Javën e kaluar kur janë takuar udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë folur për liberalizimin e vizave për kosovarët si çështje kryesore e cila duhet të përfundohet me sukses. Nuk kam të drejtë të them kur do të vije ky vendim por siç e thash mbështetja nuk ka qenë kurr më e fuqishme, vëmendja për këtë çështje asnjëherë nuk ka qenë me e madhe, momentumi ekziston dhe po shpresoj që ky do të rezultojë në vendim të cilin jemi duke e pritur, të cilën e mbështes plotësisht, dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Lajçak.