Ky është komunikimi i plotë i MF-së me këshillin e grevistëve: Flitet për ndaljen e pagave
Lexohet për: 9 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Tanimë është bërë publik komunikimi në mes zëvendësekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu me anëtarin e këshillit grevist dhe përfaqësues i shoqatave, Ali Sefaj. Derisa ky i fundit, i ka treguar zëvendësekretarit se grevës do t’i bashkohen edhe shërbyesit civil në nivelin qendror dhe lokal, Spahiu i ka thënë se nuk do ta cenojnë të drejtën e grevës, por do të kujdesen që të zbatohet Ligji për Greva.

Zëvëndësekretari në këtë komunikim të publikuar nga Ministria e Financave, ia ka kërkuar Sefajt listën e zyrtarëve që marrin pjesë në grevë, me qëllim të pezullimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, siç përcaktohet në nenin 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva, si dhe iu ka garantuar që këto veprime nuk do ta pengojnë grevën, as që do të përçojnë një mesazh të tillë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjnë në vendimin vullnetar të secilit zyrtar për grevë.

Kurse, anëtari i këshillit grevist dhe përfaqësues i shoqatave, Ali Sefaj ia ka përmendur paragrafin 1 të nenit 13 të Ligjit për Greva:  Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës.

“Emaili i juaj ka shkaktuar pakënaqësi tek shërbimi civil dhe ka venë në pozitë të keqe qeverinë e Kosovës, duke u akuzuar  nga mediat dhe shoqëria civile për shkak të këtij llapsuzi edhe si qeveri jodemokratike”, i ka shkruar Sefaj zëvendëssekretarit.

Ky është komunikimi i plotë:

............

Te nderuar sekretar/e

Siç jeni të njoftuar, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur Grevë të Përgjithshme në Sektorin Publik, e të cilës i është bashkuar edhe administrata shtetërore – shërbyesit civil në nivelin qendror dhe lokal. Greva mbahet në institucione në vendin e punës në pajtim me paragrafin 1 të nenit  10 të  Ligjit për Grevat nga ora 8 deri në 16 dhe gjatë grevës nuk punohet.

Kërkojmë nga ju të krijoni kushte dhe të mos pengoni mbajtjen e grevës e cila ka për qellim mbrojtën dhe avancimin e statusit dhe të drejtave të shërbyesve civil.

Greva do vazhdoj deri në realizimin e kërkesave të shërbimit civil.

Ali Sefaj

Anëtar i këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror.

............................................

Përshëndetje z. Sefaj,

Shpresoj që jeni mirë dhe punët po ju ecin mbarë.

Ju falënderojmë për këtë njoftim.

Megjithatë, ju njoftoj që këtë njoftim ne (po flas për SP-të që janë punëdhënës nëpër ministri) do të duhej të pranonim së paku shtatë ditë para grevës, në përputhje me nenin 8 të Ligjit për Greva. Sidoqoftë, neve respektojmë të drejtën e zyrtarëve për grevë dhe do të mundohemi maksimalisht të përmbushim obligimet ligjore për mbajtjen  e grevës dhe mos diskriminimin e zyrtarëve që marrin pjesë.

Në anën tjetër, keni parasysh që jemi të detyruar të ndërmarrim disa veprime menaxheriale për sigurimin e disa informatave lidhur me grevën, në zbatimin e dispozitave të Ligjit për Greva. Konkretisht, duhet të sigurojmë materiale përkatëse për përmbushjen e kushteve ligjore për mbajtjen e grevës (procedurale dhe materiale) dhe listën e zyrtarëve që marrin pjesë në grevë, me qëllim të pezullimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, siç përcaktohet në  nenin 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva. Ju garantojmë që këto veprime nuk do ta pengojnë grevën, as që do të përçojnë një mesazh të tillë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjmë në vendimin vullnetar të secilit zyrtar për grevë. Shpresoj që edhe ju e kuptoni këtë dhe e përcjellni këtë informatë kolegëve tuaj dhe pjesëmarrësve në grevë.

Me respekt!

Enis Spahiu

Zv. Sekretar i Përgjithshëm - Acting General Secretary

............................

I nderuar

Me lejoni edhe njëherë të ju njoftoj se grevën e përgjithshme e ka shpallur BSPK dhe ka njoftuar qeverinë me kohë, 7 ditë para mbajtjes se saj. Për grevën e përgjithshme njoftohet Qeveria dhe jo ministritë, agjencitë apo dikasteret e veçanta veq e veq.

Ndërsa për keq leximin e nenit 18 të Ligjit për Grevat dhe kërkesën për dorëzimin e listave për pjesëmarrësit në grevë me qellim qe të privohen nga paga, me lejoni të ua rikujtoj se ligji ka më shumë nene dhe e trajton në mënyrë të detajuar këtë çështje.

Sipas paragrafit 1 të nenit 13 të Ligjit për Greva :  1. Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës.

Emaili i juaj ka shkaktuar pakënaqësi tek shërbimi civil dhe ka venë në pozitë të keqe qeverinë e Kosovës, duke u akuzuar  nga mediat dhe shoqëria civile për shkak të këtij llapsuzi edhe si qeveri jodemokratike.

Ps: Po ashtu ju njoftoj qe  presioni dhe pengimi i grevës dënohet  sipas legjislacionit me fuqi.

Me respekt

Ali Sefaj

.......................

I nderuar z. Sefaj,

Shpresoj që jeni mirë.

Po ju përgjigjem shqetësimeve që i keni ngritur në shkresën paraprake

1.            Sipas nenit 8, paragrafi 1, i Ligjit për Greva përcaktohet qartë që njoftimi duhet t’i bëhet punëdhënësit. Në anën tjetër, sipas nenit 18, paragrafi 3.6, Ligjit për Organizimin e Administratës, parashihet së pozita e SP-së të vendos për administrimin e burimeve financiare, materiale dhe njerëzore, të sistemit ministror, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, për nivelin nëpunësve administrativ dhe mbështetës, në nenin 79 të Ligjit për Zyrtarët Publik, për nëpunësit administrativ dhe mbështetës, parashihet qartë që punëdhënës në këtë marrëdhënie pune është udhëheqësi më i lartë administrativ i institucionit. Andaj, mendoj se njoftimi do të duhet t’i bëhej Sekretarëve/ZKA-ve. Kështu besoj greva do të ishte organizuar më mirë dhe ne i kishim kryer edhe përgjegjësitë tona.

2.            Po pretendoni që kemi keq lexuar nenin 18, paragrafi 1. Për këtë ju sygjeron ta shihni LIGJI Nr. 03/L-200 PËR GREVA, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-119. Me plotësim ndryshimin që është bërë me Ligjin Nr. 04/L-119, është specifikuar kjo çështje dhe i është shtuar pasuesi për ndaljen e pagesës. Dispozita e plotës është si në vijim:

Neni 18

Efektet e grevës së ligjshme

1. Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke

përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Për këtë, nëse keni dilema e keni të bashkëngjitur linkun e Gazetës Zyrtare, si në vijim: Ju lutem e verifikoni.

https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2701

3.            Neve nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim disiplinor dhe jemi të vetëdijshëm për nenin 13, paragrafi 1, ku shumë saktë keni cituar edhe ju. Por, neve e kemi obligim ligjor që të identifikojmë cilët zyrtarëve duhet t’i pezullojmë kontratat, për të mos kërkuar punë prej tyre dhe për t’i mos i paguar gjersa janë në grevë. Kërkesa ime ka qenë në këtë drejtim, dhe ju kam lutur që të mos kemi keqkuptim për këtë. Por po shihet se çështja ka marrë kahje tjetër.

Në fund, ju rikujtoj që unë jam shërbyes civil dhe nuk jam pjesë e politikave ditore. Këtë veprim e kam ndërmarrë duke qenë plotësisht i bindur që kam përgjegjësi ligjore për këtë, e me asnjë motiv tjetër. Ky nuk është pengim i grevës, por vetëm zbatim i ligjit.

Nëse mendoni që një takim në mes nesh do të ndihmonte procesin, unë jam i hapur për diskutime më tutjeshme. Jam i hapur për takim që nga ky moment, kurdo dhe kudo që dëshironi.

Edhe një herë po e them, nuk e cenojmë të drejtën e grevës, assesi. Por kujdesemi që të zbatohet Ligji për Greva, ashtu siç e kemi edhe me mandat ligjor, pasi që si ZKA kemi përgjegjësi për ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike dhe nuk mund të bëjmë pagesa të ndaluara me ligj.

Me shumë respekt për ju dhe përpjekjen tuaj për avancimin e të drejtave të shërbimit civil.

Me t’mira!

Enis Spahiu

Zv. Sekretar i Përgjithshëm - Acting General Secretary

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024