Kusari-Lila dorëzon kallëzim penal ndaj Slavko Simiq
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, lidhur me publikimin e audio-incizimeve.
Ajo ka shkruar se “incizimi dhe publikimi i incizimit të jashtëligjshëm nga ish Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër”.
Sipas saj, ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër.
“Të njëjtat tani janë pjesë e kallzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023. Përveç jashtëligjshmërisë së incizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar. Nuk i ka mjaftuar inçizimi, kjo vepër e rëndë penale por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes”, ka shkruar ajo në Facebook.