Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe për integrim pa asimilim u theksua në vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në shkollën shqipe “Alba Life” që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut.
Në takimin e përbashkët me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe themeluesit e drejtuesit e kësaj shkolle, kryeministri Kurti vlerësoi përkushtimin dhe përpjekjet e mërgatës për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër breza dhe edukimin e gjeneratave të reja.
Themeluesi i shkollës, Qemal Zylo foli për kontributin e këtij institucioni për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës, kulturës së origjinës si dhe njohjes me trashëgiminë kombëtare shqiptare.
Ai bëri të ditur se programet e shkollës mbështeten në programet e përgatitura nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.