Në 24- vjetorin e rënies të dëshmorit të kombit, kolonel Rashit Mustafa “Komandant Karadaku”, është mbajtur akademi përkujtimore në Viti, ku u tha se ishte ndër drejtuesit e rëndësishëm në kapitullin e fundit të luftërave për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar të marrë pjesë në këtë akademi, dhe në pamundësi për të qenë i pranishëm, ai i është drejtuar familjarëve të dëshmorit Rashit Mustafa dhe të pranishmëve tjerë, përmes një letre, që u lexua nga moderatorja e akademisë, Majlinda Shabani.
Letra e plotë e kryeministrit Kurti në Akademinë përkujtimore për Dëshmorin e Kombit, kolonel Rashit Mustafen
I nderuar Kryetar i Vitisë, z. Sokol Haliti,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Këtë 10 qershor, teksa shënojmë përvjetorin e 145-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bashkë me përkujtimet për rrugën e gjatë për liri të shqiptarëve, kujtojmë veç e veç secilin nga ata që udhëtuan nëpër këtë rrugë. Ndër ta edhe Rashit Mustafën nga Lubishta e Malësisë së Karadakut të zonës së Vitisë, një drejtues i rëndësishëm në kapitullin e fundit të luftërave për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Në një kohë kur shqiptarët e Kosovës kishin nevojë veçanërisht për t’u organizuar ushtarakisht, në qershor të vitit 1998, Rashit Mustafa iu bashkua ushtarëve të UÇK-së, duke sjellur me vete edhe përvojën e tij të mëhershme të luftërave në Jugosllavi. Nisur edhe nga kjo, Rashit Mustafa komandoi me njësitin special “Skënderbeu” të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, duke luftuar dhe duke u angazhuar deri në fund për lirinë e atdheut të tij. Në ditët kur Kosova po çlirohej nga trupat e Serbisë, në qershor të vitit 1999, Rashit Mustafa u zhduk në rrethana që asnjëherë nuk janë sqaruar plotësisht.
Veprimtaria ushtarake e Rashit Mustafës dhe shokëve të tij, tashmë ka hyrë në historinë e çlirimit të Kosovës, kurse ngjarjet e ndodhura mes tyre gjatë luftës, vazhdojnë të rrëfehen nga shokët e tij bashkëluftëtarë sikur edhe sot.