Kurti: Nuk ka keqpërdorime, të korruptuarit i gjeni tek elita e vjetër politike dhe gjykatës
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar pas arrestimeve të sotme (e premte) në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), se nuk ka kurrfarë keqpërdorimi e korrupsioni.

Kryeministri Kurti me një video në Facebook thekson se rezervat shtetërore i ka gjetur me 300 mijë euro, por që Qeveria e tij i ka bërë 25 milionë euro për dy vjet.

Kurti i ka dhënë mbështetje ministres Rozeta Hajdari.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, ka shkruar Kurti në Facebook.    

Ai po ashtu ka thënë se qeverisja e tij me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovës.

“Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj. Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar”, ka shkruar ai.

Kryeministri ka shkruar po ashtu se ministritë kanë deponuar qindra kallëzime penale, por se prokuroria nuk është marrë me to.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare…Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit”, ka shkruar.

Ai po ashtu ka thënë se: “Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t'i fshehin edhe shumё gjatё”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024