Është shënuar 27-vjetori i masakrimit të 106 qytetarëve në Pastasel të Komunës së Rahovecit. Në përkujtimin e viktimave të një nga krimet më të rënda të luftës së Kosovës ishte edhe kryeministri, Albin Kurti.
Ai tha se 106 civilët në Pastasel u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Kurti shtoi se kujtesa për këto viktima nuk mjafton vetëm në kujtime, por duhet të bëhet drejtësi.
“Ne në vend kujtese rikthehemi për të mos harruar kurrë ditën kur 106 civilë u vranë vetëm se ishin shqiptarë. Pasi që i ndanë nga familjet, i rreshtuan në katër grupe dhe i ekzekutuan me gjakftohtësi. Krim i paramenduar ndaj njerëzimit. I vranë pa mëshirë duke vrarë ëndrrat e një brezi të ri. Në atë ditë u goditën rrënjët e trashëgimisë. Kujtesa nuk mjafton vetëm në kujtime, ajo duhet të bëhet edhe drejtësi. Është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto të shndërrohen në aktakuza. Drejtësia e vonuar është drejtësi e cunguar, por ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari atë. Ata më vonë u përpoqën të fshihej e vërteta me zhvarrosjen dhe djegien e trupave. Serbia kreu gjenocid në Kosovë, menduan se do na zhdukin; ata ikën e ne qëndruam këtu të pathyeshëm. Sakrifica e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit tonë”, tha Kurti.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ajo çka ndodhi 27 vjet më parë në këtë fshat është krim kundër njerëzimit.Më 31 mars 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 106 persona nga ky fshat dhe zonat përreth. Pastasella u sulmua nga forcat serbe, të cilat vendosën tanke në kodra dhe depërtuan brenda fshatit. Civilët që u përpoqën të gjenin strehë u rrethuan dhe u detyruan të dorëzoheshin. Gratë dhe fëmijët u dëbuan me urdhrin “shkoni në Shqipëri”, ndërsa burrat u ndanë në grupe dhe u ekzekutuan me armë automatike.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...