Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu, dëshmi e gjenocidit të Serbisë
Tjera
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

“Masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha kryeministri Albin Kurti, sot, në përvjetorin e 24-të të masakrës në Podujevë.

Kryeministri Kurti, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin, kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hotin, kryetari e Podujevës, Shpejtim Bulliqin dhe deputeti Armend Muja, bërnë homazhe te varrezat e 16 anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, në masakrën e kryer nga njësiti serb “Shkorpionët”.

“Në një ditë si kjo, ne jemi plot dhembje, mall e pikëllim për më të dashurit tanë, për këto familje, që humbën e vuajtën kaq shumë, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për qëndresën e tyre dhe për kurajon, që po ia japin gjithë popullit tone”, tha kryeministri Kurti.

Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, tha se kjo masakër kërkon drejtësi.

“Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe", theksoi ai.

“Kryeministri Kurti i bëri thirrje Prokurorisë në Kosovë, në veçanti prokurorëve në Prokurorinë Speciale, që të punojnë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë”, u bë e ditur në komunikatë.

I pranishëm ishte edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër ia kanë vrarë 4 fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10 vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit. Në homazhe ishin edhe fëmijët e tij të lindur pas lufte, të cilët mbajnë emrat e fëmijëve të vrarë para 24 vjetëve. 

A duhet të ketë zgjedhje të parakohshme?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
91
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024