Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron t’i jap më shumë fuqi Miroslav Lajçak, por sipas tij nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhet se ky është propozimi franko-gjerman lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Ai tha se në takimin e 18 gushtit në Bruksel ka prezantuar një kornizë të përgjithshme të dialogut.
“Unë kam propozuar kornizën e përgjithshme të dialogut, ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotit Lajçak, sikurse i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi fanko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet. Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruskel, Washington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë. Unë kam zotim të plotë për transparencë për procesin, por është edhe konfidencialiteti i bisedimeve paralelisht me transparencën e procesit, dhe të gjitha idetë me të cilën shpeshherë ne testohemi nga zyrtarë dhe diplomatë të ndryshmit nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është le të themi në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj. Pas ngurtësimit vjen publikimi”, tha ai.
Lidhur me trendet ekonomike, për të cilat foli edhe dje, kryeministri Kurti theksoi se të arriturat janë të pakontestuara dhe në këto kanë ndikuar edhe vullneti i disa vendimeve të Qeverisë.
“Asnjëra prej shifrave që unë kam prezantuar nuk është kontestuar opozita më sulmon, opozita më kritikon sepse e ka këtë detyrë për nga natyra, mirëpo përndryshe të arriturat tona janë të padiskutueshme. Nuk mund të them se rritja e bizneseve të ekonomisë në përgjithësi e në veçanti e eksporteve është dora e qeverisë, por është vullneti dhe disa vendime të qeverisë, dora është e punëtorëve, punëtorët që kanë prodhuar e që pastaj bëhet eksporti ata e kanë dorën ne e kemi vullnetin dhe vendimin”, u shpreh Kurti.
Në Gjilan, shefi i qeverisë kosovare foli edhe rreth dorëheqjen së ministrit, Rifat Latifi nga posti i ministrit të Shëndetësisë, për të cilit u shpreh se bëri aq sa mundi për 10 muaj udhëheqje.
“Unë nuk e kam shkarkuar ministrin e Shëndetësisë, ai ka dhënë dorëheqje unë e kam falënderuar për punën dhe angazhimin ai nuk ka kursye as dijen as përvojën dhe as kontaktet ndërkombëtare dhe për 10 muaj ka bërë krejt çfarë ka mundur, por ai nuk është një person që nuk reflekton edhe mbi punën e vet dhe ai ka thënë se me situatën me të cilën ballafaqohet dhe me kapacitetet që ekzistojnë kaq mund të bëjë. Pra ju e dini që doktor Rifat Latifi është një akademik dhe profesionalist i shkëlqyer dhe ka vlerë të madhe edhe si akademik perëndimor. Unë do të vazhdoj komunikimin dhe bashkëpunimin me të jo në këtë detyrë me vullnetin e tij. Nuk ekziston asnjë projekt që ai ka nisur e ne do ta ndalim, dhe nuk ekziston asnjë punë që ai është angazhuar dhe ne nuk do ta vazhdojmë“, tha ai.
Shefi i ekzekutivit kosovar shtoi se nuk është e vërtetë që ne po ruajmë para në mënyrë që t’i shpenzojmë në importin e energjisë elektrike.
E gjatë qëndrimit në Gjilani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi edhe disa biznese por edhe mori pjesë në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare./B.Ibishi/