Kurti dhe presidenti i KOE flasin për organizimin e Lojërave Mesdhetare
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim presidentin e Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos dhe sekretarin e përgjithshëm të këtij komiteti, Raffaele Pagnozzi, ku u ritheksua përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, që janë ngjarja më e madhe sportive e mbajtur ndonjëherë në vendin tonë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, presidenti Capralos përgëzoi kryeministrin Kurti për arritjet e Republikës së Kosovës në sport.

Ai tha se kjo vizitë e tij e parë në Kosovë vjen pas suksesit të arritur në fitoren e kandidaturës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

 Kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për organizimin e këtyre lojërave, që janë ngjarja më e madhe sportive e mbajtur ndonjëherë në Republikën tonë. Ai shprehu mirënjohjen e përzemërt për të gjithë që kanë mbështetur vizionin e Kosovës, krahas punës së palodhur të Qeverisë dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

Duke folur për përgatitjet e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, kryeministri Kurti falënderoi gjithashtu edhe presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili i dha theks të veçantë rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet dy komiteteve shtetërore drejt frymës së unitetit që kapërcen kufijtë përmes sportit.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës falënderoi Komitetin Olimpik të Evropës për mbështetjen e dhënë ndaj KOK-ut dhe për përfshirjen e përfaqësuesve të KOK në komisione të ndryshme punuese në kuadër të KOE-së, duke e konsideruar Kosovën si partnere e përhershme e strukturës sportive ndërkombëtare.

 “U vlerësua lart organizimi i Kampionatit Evropian të Xhudos, “European Championships Open”. U tha se ky organizim i ngjarjes më të madhe të sportit të xhudos organizuar ndonjëherë në Kosovë, dëshmon nivelin e seriozitetit dhe profesionalizimit të Kosovës si nikoqire e organizimeve të këtij niveli. U përgëzua për organizimin Federata e Xhudos së Kosovës mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata Evropiane e Xhudos”, thuhet në komunikatë.

Prezentë në këtë takim ishin edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024