Kurti akuzon Serbinë për mohimin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar sot Serbinë se po vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga forcat e saja kriminale edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ai ka thënë se mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga pesë varreza masive në Serbi e janë nxjerrë nga lumenjtë e liqenet ku Beogradi zyrtar u mundua të fshihte të vërtetën e saj. “Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës,” ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka përkujtuar se më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, forcat serbe rrëmbyen dhe vranë gjashtë burra e djem civilë Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi. “Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën. Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni. Albioni ishte 21-vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek-shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia. Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë. Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve,” ka përfunduar Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024