Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule të freskëta pranë varreve të të rënëve në masakrën e Brestocit të vitit 1999-të.
26 vjet pas, kryeministri bashkë me familjarë dhe të afërt të viktimave nderuan dhe kujtuam 49 martirët dhe pesë dëshmorët e këtij fshati. Më 25 mars të vitit 1999 forcat e armatosura serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme, një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, raporton KosovaPress.
Nga Brestoci, kryeministri vazhdoi homazhet në Fortesë dhe Celinë, dhe pastaj në Goden. Masakrat në Tërnje, Brestoc, Fortesë, Celinë e Goden u kryen pikërisht një ditë pas fillimit të fushatës bombarduese të NATO-s.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar 75 të rënët në Celinë, 68 në Fortesë dhe 54 në Brestoc në përvjetorin e tyre.
Haradinaj ka thënë se 25 Marsi 1999 shënon një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë."25 Marsi 1999 shënon një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë, kur regjimi kriminal i Millosheviqit masakroi fëmijë, gra dhe pleq të pafajshëm, duke lënë pas plagë të pashlyeshme.
Sot, në përkujtim të kësaj sakrifice, bashkë me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, bashkëluftëtarë dhe kolegë, ishim pranë familjeve që me krenari dhe dhimbje kujtojnë 75 të rënët në Celinë, 68 në Fortesë dhe 54 në Brestoc", ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se plagët e asaj kohe janë ende të hapura, raporton KosovaPress.
"Plagët e asaj kohe mbeten të hapura, ndërsa kujtimi i viktimave na obligon të mos harrojmë kurrë dhe të kërkojmë drejtësi", është shprehur Haradinaj.