Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati së bashku me nënkryetarin për komunitete Valmir Rama dhe me bashkëpunëtorë sot ka pritur në takim Shefin e zyrës së Këshillit të Evropës, zyra në Prishtinë, Tankut Soykan, përfaqësuesit e programit ROMACTED II, Sakibe Jashari, Besim Shkololli dhe Dhurata Sefa.
Gjatë këtij takimi u diskutua për të drejtat e njeriut me theks të veçantë të komuniteteve në Komunën e Istogut si dhe për projektet; Kanalizimi në Dubravë” dhe “Këndi i lojërave për fëmijë në Shfmu “Martin Camaj” në Gurrakoc”. Projekte këto të cilat u përuruan sot dhe u realizuan në bashkëpunim mes komunës dhe Programit ROMACTED II.Shefi i zyrës së Këshillit të Evropës, zyra në Prishtinë, Tankut Soykan në emër të Këshillit të Evropës ka falënderuar Komunën e Istogut për kontributin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në realizimin e projekteve dhe tha se vlerëson faktin që projektet janë realizuar pas iniciativës së komunitetit në këto vendbanime.
“Ne do të vazhdojmë të përkrahim të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve në Komunën e Istogut. Dua të theksoj se dyert tona janë të hapura gjithmonë për ju si institucion dhe për komunitetet që jetojnë në komunën tuaj” është shprehur Soykan.