Kosova ka ndaluar transmetimin e mediave ruse por jo edhe të mediave serbe që shpërndajnë lajme propagandistike nga mediat ruse. Media serbe Kosovo-Online e cila njihet për lajmet e rreme si dhe për shpërndarjen e propagandës ruse, është duke vazhduar me shpërndarjen e këtyre lajmeve. Kosovo-Online shpeshherë ishte demantuar nga institucionet e Kosovës për shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe propagandës ruse. Profesori universitar Ibrahim Gashi ka kërkuar ndalimin e mediave serbe të cilat shpërndajnë propagandë dhe dezinformatë ruse.
Së fundmi Kosovo-Online ka publikuar një artikull të medias ruse të ndaluar në Kosovë ‘Sputnik’ në të cilin masakra e forcave serbe ndaj popullsisë shqiptare në Reçak, cilësohet si e falsifikuar, ashtu sikurse masakra e forcave ruse ndaj popullit ukrainas në Bucha.
Profesori universitar Ibrahim Gashi thotë për KosovaPress se është i kotë dhe i pakuptimtë ndalimi vetëm i mediave ruse në Kosovë, pa i ndaluar edhe mediat serbe të cilat shpërndajnë propagandë ruse në Kosovë.
Sipas Gashit, vendimi i institucioneve të Kosovës për ndalimin e mediave shtetërore ruse dhe portaleve të tyre për shkak të përhapjes së propagandës ruse dhe lajmeve të rreme, duhet të shoqërohet edhe me ndalimin e gjitha mediave serbe të cilat shpërndajnë propagandë ruse, përfshirë Kosovo-Online.
Profesori universitar deklaron gjithashtu se ashtu sikurse diplomacia ruse dhe serbe, edhe mediat ruse dhe serbe janë duke bashkërenduar aktivitetet e tyre kundër Kosovës, vendeve perëndimore dhe NATO-s.
“Në çdo iniciativë kundër Kosovës, diplomacia serbe është mbështetur nga diplomacia ruse, të cilat kanë bashkërenduar aktivitetet e tyre kundër Kosovës, vendeve perëndimore dhe NATO-s. Bashkërendim të ngjashëm të aktiviteteve kanë pasur edhe mediat serbe dhe ruse në fushatën e tyre dezinformuese, propaganduese dhe tendencën për ndryshimin e narracionit të luftës së Kosovës”, thotë ai.
“Ashtu sikurse Millosheviqi kishte mohuar masakrat dhe krimet e luftës të Serbisë në Kosovë edhe Putini është duke i mohuar masakrat dhe krimet e luftës të Rusisë në Ukrainë. Mohimi i masakrave, krimeve, spastrimit etnik, gjenocidit, është një prej elementeve themeltare të ‘vëllazërisë serbo-ruse’”, thotë Gashi.
Pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, Kosova i ishte bashkangjitur vendeve të BE-së dhe shteteve perëndimore për ndalimin e transmetimit të mediave shtetërore ruse. Komisioni i Pavarur i Mediave kishte ndalur transmetimin e kanaleve ruse në Kosovë, pasi të njëjtat besohet se shpërndajnë propagandë për luftën Ukrainë-Rusi dhe lajme të rreme.