Kosova vazhdon të mbledhë dëshmi për krimet e Serbisë
Lexohet për: 2 min.
Albin Kurti
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Institucionet e Kosovës po vazhdojnë të mbledhin dëshmitë e krimeve të kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim drejtorin ekzekutiv të IKKL-së, Atdhe Hetemi, me të cilin ka biseduar mbi raportin e parë gjashtëmujor të këtij procesi kaq të rëndësishëm për Kosovën. Kurti tha se tashmë është funksionalizuar Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, i cili do të merret me mbledhjen e dëshmive për masakrat, torturat, dhunimet, pengjet e luftës, zhdukjet me dhunë, plaçkitjet, shkatërrimet dhe të gjitha krimet e kryera gjatë luftës. “Të gjitha dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të ruajtura nga organizata vendore e ndërkombëtare, nga hulumtues e dokumentues, bashkë me dëshmi të pa mbledhura deri më tash, vazhdojnë të mblidhen nga institucionet e Republikës së Kosovës. Për narracione të vërteta dhe të sakta për masakrat, torturat, dhunimet, pengjet e luftës, zhdukjet me dhunë, plaçkitjet, shkatërrimet dhe të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, për kujtesën tonë kolektive dhe për trashëgiminë tonë, e kemi të funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe, Kosova ka paralajmëruar se do ta padisë Serbinë për gjenocid ndaj shqiptarëve. Gjatë luftës në Kosovë, u vranë mbi 10 mijë shqiptarë. Sipas një raporti të UNHCR-së, më shumë se 860 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe nga Kosova gjatë periudhës 23 mars-9 qershor 1999.  Një shifër e ngjashme përmendet edhe në një raport të OSBE-së, ku thuhet se 863 mijë civilë u dëbuan nga Kosova gjatë të njëjtës periudhë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024