Kosova ka shënuar rritje të numrit të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024. Në Ditën Botërore të Turizmit, u tha se vendi tashmë është bërë një destinacion turistik për të huajt.
Në shënimin e kësaj dite, kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti, tha se rritja e turizmit ka qenë për 24.6 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit dhe se pret që i njëjti trend të jetë edhe në pjesën e mbetur të vitit 2024.
Rritjen e numrit të turistëve e mirëpriti zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi, e cila tha se Kosova ka dyert e hapura për vizitorët e huaj.
Ajo tha se Kosova ka një pozicion ideal për t’u bërë një qendër e turistëve që dëshirojnë të eksplorojnë.Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se kryeqyteti ofron një pasuri të madhe kulturore dhe bukuri natyrore për turistët.
“Prishtina si një kryeqytet që ofron një pasuri të madhe kulturore dhe historike është e interesuar që të jetë pjesë e këtyre proceseve. Përveç që ka një traditë mikpritëse, atmosferë të gjallërishme ka edhe shumëçka tjetër për t’i ofruar vizitorëve dhe turistëve që na vizitojnë në kryeqytet. Po ashtu për bukuritë natyrore që i kemi jo vetëm në zonat urbane përmes festivaleve por edhe të natyrës së mrekullueshme të gollakut. Kemi një numër të madh të monumenteve historike, po ashtu e kemi edhe makiaton më të mirën në botë, po na pranojnë edhe italianët”, tha Rama./KosovaPress/