Të gjithë personat që cenuan vullnetin e lirë të qytetarëve duke manipuluar me votat qofshin komisionerë apo edhe kandidatë për deputetë, të cilëve iu shtuan votat do të intervistohen nga prokuroritë përkatëse.
Kështu ka deklaruar për KosovaPress, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, prokurorja, Laura Pula, e cila vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë e konsideron veprim të duhur.
Kjo ka bërë që të ketë shumë reagime, madje u kërkua edhe rinumërim i plotë, gjë që edhe do të ndodh pas vendimin që sot mori Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një intervistë për KosovaPress, prokurorja, Pula thotë se pas përfundimit të procesit të rinumërimit në shumicën e komunave lidhur me dyshimet për manipulim të votave pas zgjedhjeve ka urdhëruar grumbullimin e provave dhe nisjen e hetimeve penale.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurorja Laura Pula tha se hetimi do të jetë i mirëfilltë dhe se do të intervistohen të gjithë komisionerët që kanë marrë pjesë në numërim, si dhe të gjithë kandidatët të cilëve u janë shtuar votat, për të sqaruar arsyet e mospërputhjeve dhe përgjegjësitë eventuale.
Ajo tha se rinumërimi në të gjitha komunat është i nevojshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për të sqaruar nëse është cenuar vullneti i tyre.
Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula bëri të ditur se për hetim janë të nevojshme procesverbalet e numërimit dhe rinumërimit, listat me nënshkrime të komisionerëve dhe dokumentet verifikuese, të cilat do të krahasohen për të identifikuar dallimet në vota.
Ndërsa, më herët ishte marrë vendim për rinumërim në gjithsej 10 komuna, ku doli se në Prizren ishte bërë manipulim i madh i votave brenda listës zgjedhore të një partie.
Qytetarët e Kosovës më 28 dhjetor 2025 iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës e më pas edhe qeverinë e re. /B.Ibishi/