Zgjedhja e presidentit varet nga vullneti i opozitës, tha ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, raporton KosovaPress.
Konjufca, i cili është edhe kandidat zyrtar i LVV-së për president, tha se do të tërheq kandidaturën sapo që partitë opozitare të bëjnë një propozim për president. Sipas tij, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, nëse, siç tha, ky është vullneti i partive opozitare. Madje, i dyti i qeverisë tha se prej momentit kur LVV-ja nuk e propozoi Vjosa Osmanin për presidente, opozitarët nuk janë të sinqertë për zgjedhjen e presidentit, si dhe po kalkulojnë për zgjedhje të reja. Megjithatë, Konjufca tha se kryeministri Albin Kurti së shpejti do të bëjë një tentativë të dytë për t’i takuar opozitarët për ta zgjedhur presidentin.
Ai tha se LVV-ja, pasi ka propozuar dy kandidatura për president, nuk mundet të ofrojë një kandidat tjetër konsensual, por sipas tij një gjë të tillë mund ta bëjnë partitë opozitare dhe ato të ofrojnë 66 votat e tyre.
“Deri tash kjo nuk ka ndodhur për arsye, le të themi, më shumë barra e provës bie mbi opozitën që të na propozojë ndonjë emër, ndërsa ne t’i japim votat tona. Kjo ka qenë ideja. Është shumë më e kollajshme për opozitën që të japë emra. Siç e dini, mazhoranca i ka 66 vota dhe do t’i mund t’i vendoste në funksion të zgjidhjes së ndonjë presidenti. Po e them se në momentin që opozita e gjen një president të përbashkët dhe e propozon para nesh. Ky nuk do të thotë që të ishte propozimi i krejt opozitës, por së paku i dy prej partive politike unë mendoj që do të isha shumë i lumtur të tërheq kandidaturën time. Por nëse kjo nuk ndodh dhe tërhiqet kandidatura, nuk e zgjidh problemin”, tha ai.Sipas tij, ujdia që e ka propozuar PDK-ja për presidentin nuk ekziston askund në botë që symbyllurazi t’i sigurohen 66 vota pa e ditur emrat e të propozuarve për president.
Ai shtoi se kësisoj PDK-ja mund të propozonte emra për president që janë të pakapërcyeshëm për LVV-në.
“Sa i përket LDK-së, nuk besoj se kemi ardhur te një emër nga ana e tyre që të bëhet pjesë e publikut dhe LDK-ja të qëndrojnë krejt 15 deputetët prapa atij emri. Nuk kemi pasur, por po të kishim do ta shqyrtonim në kryesinë e LVV dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, shtoi Konjufca.
Sipas tij, opozitarët po kalkulojnë se përfshirja e Vjosa Osmanit në skenën politike do ta dobësonte LVV-në në përqindje, por ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit të sërishëm me Osmanin.
“Në momentin që nuk ka qenë Vjosa Osmani propozim nga ana e LVV-së, ka ndryshuar krejt kalkulimi i opozitës. Opozita dëshiron me përfshirë si element të ri në skenën tonë politike përfshirjen e presidentes Osmani në skenën politike dhe ata kalkulojnë se ajo do ta zbriste përqindjen e LVV-së. Prej kur ka qenë ky element në garë nuk ka pasur propozime të sinqerta. Kjo më shumë është kalkulim i opozitës për zgjedhje. Kjo shihet prej aeroplanit... Gjithmonë në bashkëpunim me zonjën Osmani”, theksoi ai.
“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë”, përfundoi ai.
Kuvendi ka kohë deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin. /E.Zeqiri/