Në 24-vjetorin e masakrës së Rezallës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin memorial, në nderim të të vrarëve në këtë masakër nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Konjufca e konsideroi masakrën e Rezallës si njërën prej akteve më gjenocidale që ka bërë Serbia në Kosovë. Ai tha se kjo masakër, së bashku me të gjitha masakrat e kryera prej aparatit shtetëror dhe ushtarak të Serbisë, e përbëjnë gjenocidin që ky shtet e ka ushtruar mbi popullin e Kosovës, thuhet në njoftimin e drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.
Konjufca pas homazheve ka thënë se sipas informacionit që posedon, termi “të zhdukurit me dhunë” do të përdoret në marrëveshje, ashtu siç përdoret nëpër konventat ndërkombëtare.
“Kosova e ka arritur këtë. Serbia gjithmonë është përpjekur të përdorë një terminologji tjetër për t’i ikur përgjegjësisë që e ka për të gjithë ata që janë të zhdukur me dhunë. Sepse, kur të thuash ‘të zhdukurit me dhunë’, do të thotë se ata i ka zhdukur dikush. E kjo është Serbia me aparatin e saj shtetëror, policinë, ushtrinë dhe organet e tjera shtetërore”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.