Konjufca: Bombardimet e NATO-s i dhanë fundit gjenocidit
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kujtuar sot 24 vjetorin e fillimeve të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë agresore.

Konjufca ka thënë se nën komandën e gjeneralit Wesley Clark, fushata bombarduese 78 ditore e Aleancës Veriatlantike në krye me SHBA-në i dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë, njofton Klan Kosova.

“Sot mbushen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë agresore. Nën komandën e Gjeneralit Wesley Clark, fushata bombarduese 78 ditore e Aleancës Veriatlantike në krye me SHBA-në i dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. E nga qielli i përflakur shkëlqeu liria. 24 vjet më pas, Republika e Kosovës, e ndërtuar mbi themelet e luftës çlirimtare të UÇK-së, martirizimit të popullit tonë dhe ndihmës ushtarake të NATO-s, është shtet demokratik, sovran dhe i pavarur. Shembulli më i mirë në Ballkan, Evropë e më gjerë për jetën e lirë të qytetarëve të barabartë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve pakicë”, ka shkruar Konjufca.

Kryekuvendari ka thënë se, gjatë këtyre viteve të pasluftës, Republika e Kosovës ka shënuar përparime të dukshme në të gjitha fushat dhe përbën sot një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajon.

‘Jemi të vendosur që, me mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë të përhershëm, të avancojmë në proceset integruese dhe ta mbrojmë me çdo kusht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues në çdo pjesë të shtetit tonë. Populli ynë do t'u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të Aleancës së NATO-s dhe misionit ushtarak KFOR për gjithë çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për lirinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024