Një incident me të shtëna me armë zjarri në ajër në lagjen nr. 1 të Sarandës ka shkaktuar panik mes banorëve mbrëmjen e 12 marsit.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes disa të rinjve ,ku identifikohen dhe ndalohen katër persona, ndërsa dy të tjerë shpallen në kërkim.
“ Nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 12.03.2026, rreth orës 22:30, në rrugën “Panorama”, shtetasi J. L. dhe një shtetas i mitur, për motive të dobëta dhe pas konflikteve të mëparshme me disa të rinj, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër me qëllim kanosjen e tyre.”-thuhet në njoftimin e Policisë.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të policisë, mbrëmjen e 13 marsit u bë e mundur ndalimi i katër personave: A. Z., G. A., A. B. dhe D. Z., të moshës 18 vjeç dhe banues në Sarandë. Sipas hetimeve, ata dyshohet se ishin në dijeni të ngjarjes, por nuk e kishin kallëzuar atë, duke penguar zbardhjen e situatës.Ndërkohë, shtetasi J. L. 19 vjeç dhe një shtetas i mitur janë shpallur në kërkim, dhe vijon puna për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë për veprat penale: “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.