Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka paralajmëruar sot se disa shtete evropiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, po përgatiten ta bllokojnë votimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai në një postim në rrjetin social X ka thënë se një grup shtetesh po përgatitet të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. “Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, shkruan Knaus.
Ai ka shtuar se një bllokim i tillë vjen pas fushatës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE. “Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfshirë edhe apelin e tij personal ndaj presidentit të Francës Emmanuel Macron, që të mos lejojë votimin dhe një zotim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafal”, përfundon Knaus. Asambleja Parlamentare më 16 prill rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në KiE. Çështja do të vendoset përfundimisht nga ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës në mesin e muajit maj.