Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar sot ndaj vendimeve për shtrenjtimin e ujit, duke theksuar se qytetarët tashmë po përballen me fatura të papërballueshme.
Në reagimin e saj, KMDLNj akuzon institucionet për mungesë vullneti për mbrojtjen e qytetarëve. “Shkaku i moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në Mafien Energjetike”, thuhet në njoftim, transmeton KosovaPress.
“KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe rrymës do të prodhojë efekte zinxhirore dhe për pasojë do të paguajmë fatura shumë më të larta për artikuj tjerë të domosdoshëm për mbijetesë si dhe për shërbime”, thuhet në reagimin e KMDLNJ.
Sipas KMDLNj-së, ndonëse faturat e ujit dhe mbeturinave mund të jenë ende të përballueshme, situata me energjinë elektrike është alarmante. “Faturat e rrymës janë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe bizneset”, theksohet më tej.
Në fund, KMDLNj paralajmëron se mosreagimi do ta përkeqësojë edhe më tej gjendjen sociale: “Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet, ndërsa kjo gjendje në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentim bizneset”.
Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit ka dhënë detaje lidhur me tarifat e faturave të ujit, cilit do të larta për qytetarët dhe bizneset që nga muaji janar.
Sipas tij, tarifat për amvisëri do të rriten për 39 për qind për m3, ndërsa për konsumatorët jo-shtëpiak 29 për qind për m3 .
Ramaj në një intervistë për KosovaPress, thekson se rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.