Këto janë arsyet dhe të veçantat e zgjedhjeve të sotme në Kosovë
Zgjedhjet 2026
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Këto janë arsyet dhe të veçantat e zgjedhjeve të sotme në Kosovë
kutia e votimit
07/06/2026 - 07:44
Linku u kopjua

Kosovarët votojnë sot në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve.

Arsye për këtë proces që nisi në orën 7, në shumicën e vendvotimeve të Republikës është ngërçi i vazhdueshëm politik që shoqëroi politikën vendore nga shkurti 2025

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës u caktuan pasi partitë kryesore politike në Kosovë nuk arritën të bien dakord deri më 28 prill, kur ishte afati i fundit kushtetues, se kush duhet ta zëvendësojë ish-presidenten Vjosa Osmani, mandati i së cilës përfundoi në fillim të atij muaji.

Meqë vendi mbeti pa kryetar, shkuarja e parakohshme në zgjedhje u bë obligim kushtetues.

Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti është partia që mban shumicë të qartë parlamentare që nga zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit.

Presidenti në Kosovë zgjidhet me të paktën 80 vota të deputetëve në Kuvendin me 120 ulëse, një shumicë që as Kurti dhe as opozita nuk arritën ta siguronin.

Zgjedhjet e para pa rezultat përfundimtar në shkurt të vitit 2025 e lanë vendin pa një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit, duke detyruar mbajtjen e zgjedhjeve të dyta në dhjetor.

Ato rezultuar me një fitore prej 51.1 për qind të Vetëvendosjes, e cila edhe e formoi qeverinë, pa problem, për dallim nga shkurti, por Kuvendi dështoi ta zgjedh presidentin mëpastaj.

Fushata zgjedhore për votimet e 7 qershorit zgjati 10 ditë, me tubime intensive të partive politike. Projektet dhe premtimet e tyre kanë qenë kryesisht të ngjashme me ato të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, për shkak të pamundësisë për të “prodhuar” diçka më shumë e më inovative si pasojë e kohës së shkurtë nga një palë votime në tjetrën, brenda gjashtë muajve.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Vetëvendosje Albin Kurti u ka bërë thirrje votuesve t’i japin edhe një mundësi në zgjedhjet e së dielës.

Ai akuzoi vazhdimisht partitë opozitare se kanë krijuar një “krizë artificiale” dhe kanë detyruar mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura, pavarësisht “vullnetit të fortë dhe të qartë të popullit”.

Nga ana tjetër, dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë akuzuar Kurtin se po kërkon të vendosë kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet politike në vend, duke aluduar kështu në pretendimet se VV po do me çdo kusht ta marrë për partinë e tij edhe postin e presidentit, që nuk ka shumë fuqi ekzekutive, por megjithatë ka disa ingerenca sidomos për sa i përket politikës së jashtme dhe përfaqësimit ndërkombëtar.

Të veçantat e këtyre zgjedhjeve janë se ish-presidentja Vjosa Osmani tashmë kandidon në listën e LDK-së kundër Kurtit, ish-aleatit të saj, pasi ai refuzoi ta mbështeste për një mandat të dytë presidencial.

Fatmir Limaj, njëri nga figurat më të vjetra politike në vend ka refuzuar të garojë me partinë e tij, ndërsa është ofruar me PDK-në, sidomos në fushatë, ani se kjo parti nuk e futi dhe njerëzit e Nisma-s në listë zgjedhore.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila nga muaji i kaluar ndërroi edhe emrin, duke mbajtur vetëm “Aleanca”-n, garon me një lider të ri, si në parti, ashtu edhe në garën për kryeministër, duke ia besuar të dyja pozitat Ardian Gjinit, kryetarit aktual të Gjakovës.

Partia më e vogël, PSD i është kthyer pjesëmarrjes në zgjedhje, duke preferuar që në listën e saj të mos fus më tepër se 6 kandidatë, që janë “obligativ” për të formuar një grup parlamentar, nëse kalohet pragu zgjedhor, që edhe kësaj radhe është 5 për qind. /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026