Në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” për trajnerin e xhudos Driton Kuka, ishte e pranishme edhe Majlinda Kelmendi, xhudistë e cila nën drejtimin e Kukës u shpall medaliste olimpike dhe kampionet e botës në xhudo.
Ajo u shpreh shumë e lumtur që puna e trajnerit të saj po vlerësohet në Kosovës, derisa tha për KosovaPress se veprat dhe sukseset e panumërta ta arritura në karrierën e tij flasin vetë se kush është Driton Kuka.
Ajo foli edhe për rolin e saj të ri si trajnere e xhudos dhe ka thënë se me të nisur këtë profesion, e ka kuptuar se sa punë të vështirë ka pasur para vetes Driton Kuka deri në arritjen e këtyre sukseseve kulminante.
“Po shkon mirë, tani është bërë gati një vit kam filluar të punoj si asistente trajnerë, është ende herët të them trajner. Mirë, në fillim ka qenë vështirë, tani kam filluar të adoptohem jam me fat që kam nga kush të mësoj kështu që mirë...Tani janë kushtet shumë më mirë se sa kur kam qenë unë garuese dhe nganjëherë po e ndjejë një xhelozi të vogël se në çfarë kushte kam ushtruar unë e tani çfarë i kanë gjeneratat e reja, por shyqyr prej Zotit kushtet janë të mira, rezultati e ka bërë të veten, infrastrukturën e kemi shumë më të mirë që e kemi pasur.”, theksoi ish kampionja e botës në xhudo.