Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se sot gjatë ditës, njësia B1 e Termocentralit Kosova B është ndalur për operim. Sipas KEK-ut, në këtë njësi janë evidentuar rrjedhje të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës, të cilat janë paraqitur rreth orës 10:00.
Sipas KEK-ut, pas vlerësimeve teknike dhe për shkak të pamundësisë për të vazhduar operimin e sigurt, si rezultat i harxhimeve të larta të ujit dhe rrezikut për dëmtime më të mëdha teknike, është vendosur që njësia B1 të shkyçet nga operimi para orës 18:00, si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të njësisë.
KEK ka theksuar se pavarësisht ndaljes së njësisë B1, furnizimi me energji elektrike është i siguruar dhe operimi i sistemit vazhdon në mënyrë stabile me katër njësi gjeneruese. Aktualisht, prodhimi ditor arrin rreth 13,560 MËh, që mbulon 87.6% të kërkesës totale për konsum, ndërsa për ditën e nesërme KESCO ka parashikuar kërkesë totale prej 15,471 MËh.
Pjesa e mbetur e nevojave për shërbimin universal me energji elektrike, sipas KEK-ut, është siguruar përmes blerjes në bursën ALPEX dhe shkëmbimit të energjisë me KESH Sh.A., në bazë të marrëveshjes ekzistuese të bashkëpunimit.
Nga KEK kanë njoftuar se opinioni do të informohet me kohë për rikthimin e njësisë B1 në operim, pas përfundimit të kontrollave teknike.
Po ashtu, sot KEK bëri të ditur se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer pas disa ditësh në operim në orët e mëngjesit të sotëm.