Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se largimi gradual i Shteteve të Bashkuara nga Evropa nuk është një zhvillim i lidhur vetëm me presidencën e Donald Trump, por një proces afatgjatë që ka nisur prej vitesh dhe me të cilin Evropa duhet të përshtatet urgjentisht.
Gjatë fjalës së saj në Konferencën e Sigurisë në Oslo, Kallas theksoi se kontinenti evropian përballet me realitete të reja gjeopolitike, jo vetëm për shkak të Rusisë agresive, por edhe për shkak të ndryshimit të natyrës së aleancës transatlantike me SHBA-në.
Ajo paralajmëroi se është e gabuar të mendohet se ndryshimet në marrëdhëniet transatlantike lidhen vetëm me personalitete apo cikle zgjedhore, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një prirje strategjike që kërkon reflektim dhe veprim nga BE-ja.
Kryediplomatja e BE-së u ndal gjithashtu te rreziku i shtimit të interesit për armët bërthamore, duke theksuar se ky fenomen ka marrë hov pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas saj, kjo prirje përbën një rrezik serioz për rendin botëror dhe stabilitetin ndërkombëtar.
“Për sa i përket rendit botëror, ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rrezikshëm,” përfundoi ajo.