“Izraeli me propozim bujar për armëpushim në Gaza”, Blinken: Hamasi të marrë vendim sa më shpejt
Lexohet për: 2 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka shprehur shpresën se grupi militant palestinez i Hamasit, do të marrë vendimin e duhur për të pranuar marrëveshjen që Izraeli ka bërë, marrëveshje të cilën vetë Blinken e cilësoi si “tepër bujare”.

Gjatë vizitës së tij në Riad, kryeqytetin saudit, Blinken tha se ndërmjetësimet për arritjen e armëpushimit në Gaza po vijonin në Kajro për propozimin e bërë nga Izraeli. Blinken tha se Hamasi duhet t’i përgjigjet sa më shpejt propozimit të bërë nga izraelitët, shkruan Top channel, transmeton KosovaPress.

Nëse arrihet marrëveshja, do të bëhej i mundur ndalimi i ofensivës së pamëshirshme që Izraeli po zhvillon në Rripin e Gazës ku sipas mediave të huaja, deri më tani janë vrarë mbi 34 mijë palestinezë. Marrëveshja përmban edhe lirimin e pengjeve izraelite që mbahen në Gaza që nga 7 tetori.

“Hamasi ka përpara një propozim që është jashtëzakonisht bujar nga ana e Izraelit”, tha Blinken në Riad në Forumin Ekonomik Botëror. “Ata duhet të vendosin sa më shpejt,” tha Blinken. “Unë shpresoj se ata do të marrin vendimin e duhur.”

Ndërkohë, diplomati i lartë amerikan përsëriti kundërshtimin e Uashingtonit ndaj ofensivës së planifikuar izraelite në Rafah. Ai tha se SHBA duhet të shohë ende një plan nga Izraeli në lidhje me masat për mbrojtjen e civilëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024