Ismaili takon përfaqësuesin e Thesarit të SHBA-së, diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga ekipi i tij, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Thesarit të SHBA-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, Mathew Haarsager. Me këtë rast diskutimet u përqendruan mbi gjendjen makroekonomike të Kosovës, zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe iniciativat e ndërmarra nga BQK-ja në përputhje me Planin e saj Strategjik 2024-2028.

Guvernatori Ismaili nënvizoi stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar, duke vënë në pah performancën e qëndrueshme të sektorit, përfshirë normën e ulët të kredive jo-performuese dhe nivelin e lartë të kapitalizimit.

Në komunikatë thuhet se gjatë takimit, Guvernatori i BQK-së i shprehu mirënjohjen z. Haarsager për mbështetjen thelbësore të ofruar nga Departamenti i Thesarit amerikan.

“Ai theksoi përfitimet nga projektet e ndryshme të përkrahura nga Thesari i SHBA-së, të cilat kishin synim zhvillimin e tregut të obligacioneve qeveritare, krijimin e infrastrukturës së nevojshme të tregut dhe lehtësimin e iniciativave të tjera që avancojnë sistemin financiar të Kosovës”, citohet Ismaili në komunikatë.

Më tej thuhet se gjithashtu u diskutuan bashkëpunimet aktuale të mbështetura nga USAID-i, të cilat kanë qëllim krijimin e një kornize dhe infrastrukture të qëndrueshme të tregut të kapitalit. Këto projekte janë jetike për promovimin e stabilitetit financiar dhe rritjes ekonomike të Kosovës, duke siguruar që sektori financiar të vazhdojë të zhvillohet në përgjigje të nevojave të tregut.

“Guvernatori Ismaili ritheksoi rëndësinë e partneriteteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës. Angazhimi me Thesarin e SHBA-së ka për synim forcimin e më tejmë të marrëdhënieve dhe promovimit të një mjedisi të qëndrueshëm financiar në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në fund të dyja palët në mbyllje të takimit rikonfirmuan zotimin për thellimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024