Ish-presidentët shqiptarë në Hagë: Kjo është lufta e fundit e drejtuesve të UÇK-së, drejtësia do të triumfojë
Lexohet për: 6 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ish-presidentët shqiptarë takuan sot Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata deklaruan se qëllimi i vizitës së tyre është të tregojnë mbështetjen për luftën e drejtë te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa shtuan që ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim.

Pas takimit, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko thanë se ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë të fortë moralisht dhe krenarë për luftën e drejtë të UÇK-së.

Sipas Moisiut, prokuroria po kërkon diçka qe nuk ekziston meqë UCK nuk ka pasur të bëjë me terrorizëm.

“Ne erdhëm për t’i takuar, për t’i inkurajuar miqtë dhe shokët tanë të cilët po bëjnë një burgim te padrejtë për mua dhe shokët e mijë, por kështu paska qenë shkruar kjo punë. Sigurisht me qëllimin kryesor per të treguar se ne mbështesim luftën e UÇK-së, lufta e shqiptarëve të Kosovës ka qenë një luftë për liri, pavarësi, drejtësi, për t’u shkëputur nga skllavëria serbe shekullore dhe sigurisht nuk ka qenë aspak lutë terroriste siç po përpiqen për ta kthyer, për ta argumentuar se qëllimi i saj ka qenë terrorizmi që nuk është aspak e vërtetë. Ne mendojmë që në fund drejtësia do të fitojë, do të dalë e drejta, taksirat e këtyre drejtuesve të UÇK-së të vuajnë, kanë dy vjet aty e nuk dihet sa do vazhdojë akoma, sepse kanë dy vjet dhe akoma nuk e kanë formuluar akuzën pra janë në kërkim, në kërkim të një gjëje që nuk ekziston sepse nuk kanë pasur asgjë me terrorizmin”, tha Moisiu.

Ish-presidenti Rexhep Meidani tha se historinë nuk mund ta ndryshojnë prokurorët dhe gjykatësit derisa përmendi okupimin e dikurshëm serb në Kosovë dhe luftën e UÇK-së për çlirim.

“Është një mbështetje, jo vetëm për udhëheqësit kryesorë të shtetit dhe pavarësimit të Kosovës por vizita jonë ishte edhe një mbështetje e luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kundër skllavërimit serb, ishte edhe një luftë e mbështetur nga gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe udhëheqësit kryesor botëror, në luftën jo vetëm për demokraci, por edhe luftën kundër pastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga policia, ushtria dhe trupat paramilitare serbe, tha Meidani.

Se vizita e tyre është vetëm për mbështetje e jo ndërhyrje në drejtësi e tha ish-presidenti Bamir Topi.

“Sot ata ndodhen këtu për fat të keq ende pa një formulim të akuzës. Gjendja e tyre psikologjike ishte e shëndoshë, pra njeriu ka kaluar situata të vështira të luftës, ndjehet moralisht krenar për atë që ka kaluar dhe natyrisht janë duke pritur me shumë gjakftohtësi. Natyrisht ne nuk interferojmë në çështje të drejtësisë por jemi të bindur qe drejtësia do të shkojë në vend, sepse duket si një histori sikur ka qenë histori e shekullit të kaluar por historia e asaj çka ka ndodhur në Kosovë është një histori e kohëve moderne, te mos e harrojmë atë largim masiv, atë gjenocid që u zhvillua nga arkitekti i luftës në Ballkan sikurse ishte Millosheviqi”, tha Topi.

Ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko tha se kjo është lufta e fundit për drejtuesit e UÇK-së që sipas tij duhet ta bëjnë për ata që janë gjallë dhe ata që nuk jetojnë më.

“Mendojmë që kjo nuk është një dramë personale e atyre që janë në qelitë e këtij burgu, mendojmë që kjo është një dramë kombëtare dhe si e tillë ka praninë tonë këtu. U informuam qe dosja fillon me ngjarjet e vitit 1981 me Jusuf Gërvallën e njohur, në fakt duhet të fillonte me vrasjen e konsullit rus në Mitrovicë 1903, dhe mendoj se kjo që po na ndodh ka sjell një reflektim të jashtëzakonshëm, është lufta e fundit që drejtuesit e UCK-së duhet të bëhen, për ata qe janë gjallë dhe per ata që nuk janë” tha  Majko.

Vizita e ish- presidentëve u zhvillua me iniciativë të kreut Aleancës Kosova e Re dhe ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ndërsa thirrjes së tij nuk i janë përgjigjur ish-krerët e shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.

“Ne pamë edhe njëherë, edhe njëherë u binda që ky është çmimi të cilin ata janë duke paguar për atë që ne ekzistojmë si shtet i pavarur dhe pavarësinë tonë. Nuk ka akuza personale për askënd, janë akuza absurde, gjoja se një organizatë kriminale, e mu kjo ‘organizatë kriminale’ e ka bërë të mundur pavarësinë e Kosovës dhe lirinë që ne gëzojmë. Nëse kjo është akuza kryesore që duhet të paguhet, pra këta djem janë duke e paguar atë. E pash se janë të inkurajuar, nuk janë të lodhur, janë më mirë se kurrë dhe ata e dinë që nuk janë në këtë burg për një krim qe vërtetë quhet krim por janë për të paguar çmimin për këtë që e posedon Kosova, lirinë dhe pavarësinë”, tha Pacolli.

Ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 pas konfirmimit  të aktakuzës me pretendime për krime lufte dhe kundër njerëzimit por gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Në paraqitjet e tyre të para ne gjykatë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm./G.Kadrija

https://kosovapress.com/admin/kleriket-fetare-nga-haga-gjithmone-te-bashkuar-kreret-e-uck-se-te-pafajshem/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024