INPO publikon raportin për komunat: Asnjëra nuk është për ta marrë shembull
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit komunat kanë shënuar progres sa i përket mos inicimit të aktiviteteve të prokurimit të paplanifikuara. Nga 14 komuna që kanë iniciuar aktivitete të prokurimit të paplanifikuar me planin e prokurimit, këtë vit të papërmirësueshme në këtë aspekt mbesin komunat e Dragashit, Deçanit dhe Prizrenit. Kështu u tha të mërkurën me rastin e publikimit të raportit “Procesi i prokurimit dhe menaxhimi i kontratave në 20 komuna të Kosovës”, ku u theksua po ashtu se asnjë nga komunat nuk është për ta marrë shembull për ta ndjekur.

Hulumtuesja në Iniciativën për progres (INPO), Lorenta Alija, tha se krahasuar me vitin e kaluar këtë vit komunat kanë shënuar progres sa i përket mos inicimit të aktiviteteve të prokurimit të paplanifikuar.

"Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit komunat kanë shënuar progres sa i përket inicimit të aktiviteteve të prokurimit të paplanifikuara. Nga 14 komuna që kanë iniciuar aktivitete të prokurimit të paplanifikuar me planin e prokurimit, këtë vit vetëm pesë prej tyre kanë vepruar kësisoj, duke përfshirë Komunën e Deçanit, Dragashit, Gjilanit, Prishtinës dhe Prizrenit”, tha Alija.

Alija tha se shqetësim tjetër te inicimi i aktiviteteve të prokurimit është edhe vlerësimi joadekuat i tenderëve, i cili vije nga njerëz jo profesionalë.

Po ashtu nga gjetjet del se komunat si ajo e Gllogocit, Gjakovës, Prishtinës, Rahovecit dhe Vitisë, në komisione të vlerësimit të tenderëve kanë vendosur njerëz kualifikimi profesional i të cilëve fare nuk ka të bëjë me natyrën e tenderit të caktuar.

Përveç këtyre si dukuri shqetësuese në inicimin e aktiviteteve të prokurimit, Alija tha se komunat si ajo e Gjakovës, Klinës, Pejës, Podujevës, Prishtinës dhe Prizrenit në dosje të tenderëve kanë vendosur kërkesa shumë të larta, jo proporcionale, diskriminuese dhe jovalide.

Hulumtuesi i lartë në INPO, Qëndrim Arifi, tha se deri më tani nuk është ndonjë komunë që ka zbatuar të gjitha ligjet për të marrë shembull, megjithatë ai shtoi se krahasuar me vitet e kaluara para se të fillojë ky projekt ka përmirësime të dukshme.

“S’kemi një komunë që duhet ta marrim shembull që ta ndjekim, mirëpo nëse shohim se a ka komuna që ka shënuar progres të dukshëm pas monitorimit të INPO-s, ato ekzistojnë. Nuk është një progres i kënaqshëm, mirëpo nëse krahasojmë komuna para se të fillojë ky projekt ka një përmirësim të dukshëm”, tha Arifi.

E disa nga rekomandimet që kanë dalë nga ky raport i bëri të ditura monitoruesi Valmir Elezi.

Sipas tij, disa nga komunat në vend duhet të sigurohen se iniciojnë tenderë në përputhje me planin e prokurimit si dhe të mos ekzekutojnë pagesa pa pranuar furnizimin, shërbimin dhe punën e caktuar, e po ashtu të mos pranojnë përmbushje të kontratës në kundërshtim me termat dhe kushtet e saj.

Komunat e monitroruara janë: Deçani, Dragashi, Ferizaj, Gllogoc, Gjakovë, Gjilan, Kacanik, Kamenicë, Klinë, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Suharekë, Shtimë, Viti dhe Vushtrria.

Raporti “Procesi i prokurimit dhe menaxhimi i kontratave në 20 Komuna të Kosovës”, është mbështetur nga Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.​

https://kosovapress.com/admin/komunat-shenuan-progres-per-mos-inicim-te-aktiviteteve-te-prokurimit-te-paplanifikuara/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024