Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për personat e Pagjetur, Andin Hoti, sot ka deklaruar se nuk duhet të nënshkruhet asnjë marrëveshje finale me Serbinë nëse aty nuk është primare çështje e personave të zhdukur. Sipas tij, tashmë nuk mjafton presioni ndërkombëtar mbi Serbinë, por e njëjta duhet të kushtëzohet me rrugën e saj të integrimit evropian.
Ai ka folur para Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku ndër të tjera ka thënë se hapja e arkivave shtetërore të Serbisë do të ndihmonte në zbardhjen e fatit te personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.Hoti ka deklaruar se Serbia i kërcënon hapur të gjithë ata që duan të japin ndonjë informacion për krimet e kryera.
“Nuk mjafton më presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë, mendoj që duhet të kalojë në kushtëzim, të faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe kushtëzimi duhet të bëjë me rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, drejt integrimeve evropiane, një gjë të tillë e kam thënë edhe në Bruksel, e kam thënë në çdo takim me palën ndërkombëtare, shpresoj të arrijmë të bindim palën ndërkombëtare që e drejta themelore në radhë të parë e familjarëve për të ditë, në radhë të parë pastaj çështje të tjera, pro nuk kemi arrit ende të bindim që ta kushtëzojë Serbisë, sepse mendoj që është forma e vetme”, ka thënë Hoti.
Kjo, sipas tij, dëshmon përpjekjet e Serbisë për të shtrembëruar të vërtetën.
“Pas ekzaminimit në institutin tonë ekspertët tanë kanë arritur që në shumicën e rasteve të evidentojnë ose përcaktojnë shkakun e vdekjes. Dhe mungesa e shkakut të vdekjes në dokumentet serbe padyshim që është një përpjekje e tyre në vazhdimësi të mohimit apo shtrembërimit të së vërtetës.”, ka thënë Gara.
“Ne e kemi themeluar grupin punues si komision tashmë dhe jemi në fazën ku preket me një pikë një ligj tjetër që është ligji për pensione. Sepse ne kemi dëgjuar edhe kërkesat e shoqatave dhe kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur dhe natyrisht njëra prej kërkesave të familjarëve është e drejta e pensionit, ju e dini problemin e pensioneve dhe mohimi i së drejtës me i marr dy pensione, edhe pse unë nuk e konsideroj që quhet pension, kjo është një përkrahje shtetërore që duhet t’u jepet këtyre Ligji për personat e zhdukur nuk i parasheh pensionet, nuk i parasheh benifitet në fakt, as këto të pensioneve, as ato të sigurimeve, sepse ligji për personat e zhdukur rregullon punën e komisionit qeveritar për persona të zhdukur dhe nuk parasheh anën financiare. Ne jemi në diskutim me Ministrinë e Financave që ose ta fusim, nëse një gjë e tillë lejohet ligjërisht, në kuadër të ligjit për persona të zhdukur edhe shqetësimet e ngritura nga shoqatat, ose të hyjmë pako me dy ligjet e tjera, ligjin për pensione dhe ligjin për kategoritë e dala nga lufta dhe të fillohet plotësim ndryshimi i tyre.”, ka thënë Hoti.
Lidhur me këtë, ankesa ka pasur kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Ahmet Grajqevci.
Ai ka bërë të ditur se gjendja e familjarëve të personave të zhdukur është e rëndë edhe financiarisht, krahas dhimbjes për më të dashurit e tyre.
“Gjendja e familjarëve faktikisht është e rëndë, të gjithë ne të dalim, unë jetoj vet me 170 euro pension të veteranit. Ashtu jeton edhe një familjar, si mund t’i shkollojë tre fëmijë ose dy fëmijë me 170 euro, si mund të paguajë rrymën, si mund të mbijetojë, jo të jetojë por të mbijetojë, kjo është e tmerrshme, është shkelur çdo e drejtë e familjarit dhe qoftë të zhdukurve, qoftë të vrarëve qoftë edhe veteranëve të luftës, sepse me 170 euro nuk bëhet jetë, nuk shkollohen fëmijët, nuk mbahet familje. Ne kemi kërkuar që rroga minimale të jetë 260 euro për familjet me të zhdukur, pro pa i dalluar edhe të tjerët, plus të mos preket paga bazë pensioni që u takon me ligj, nëse e merr 170 euro nuk do ta marrësh pensionin, kjo është për familjarët nënçmim. Ai familjari nga dhimbja thotë nuk po i marrë 240, por po i marr të djalit tim, llogarite deri ku shtyhet familjari dhe si përdoret politika me familjarin.”, ka thënë ai.