Hoti: Nga janari 2025, tatimi në pronë rritet deri në trefish
Lajme
Lexohet për: 2 min.
avdullah-hoti
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, ka njoftuar se sipas ligjit për tatimin në pronë, nga janari 2025 do të rritet tatimi në pronë.

Sipas tij barra tatimore do të rritet veçanërisht për pronat me vlerë të madhe.

Postimi i plotë i Hotit:

Sipas ligjit të ri të tatimit në pronë, nga janari 2025 zbatohet norma progresive e tatimit në pronë, si në vijim:

- Pronat me vlerë deri në 100,000 euro – norma minimale 0.10%,

- Pronat me vlerë 100,000-500,000 euro – norma minimale 0.20%,

- Pronat me vlerë 500,000-1,000,000 euro – norma minimale 0.30%,

- Pronat me vlerë 1,000,000-5,000,000 euro – norma minimale 0.40%,

- Pronat me vlerë mbi 5,000,000 euro – norma minimale 0.50%.

Si rezultat, barra tatimore do të rritet veçanërisht për pronat me vlerë të madhe. Shikoni tabelën në vijim: prona me vlerë 1 mil euro ngarkohet me 2,400 euro tatim; prona me vlerë 5 mil euro ngarkohet me 18,400 euro tatim; prona me vlerë 10 mil euro ngarkohet me 43,400 euro tatim.

Norma progresive e tatimit në pronë nuk ka kuptim ekonomik për disa arsye. E para, ngarkesa tatimore në pronë është progresive për nga mënyra e llogaritjes – sa më e lartë vlera e pronës, aq më e lartë ngarkesa tatimore. E dyta, të hyrat e shtetit nga tatimi në pronë nuk kanë vetëm qëllime fiskale, pasi ato përdoren kryesisht për mbulimin e kostove të shërbimeve publike të lidhura me ato prona. E treta, të ardhurat që zotëruesi i pronës i ka përdorur për blerjen e pronës janë tatimuar më herët, ndërkaq të ardhurat që zotëruesi i pronës i gjeneron nga prona tatimohen si të hyra nga qiraja.    

Përveç kësaj anomalive, ligji i ri i tatimon edhe tokat bujqësore të kultivuara, të cilat me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur pronarët t’i kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim.

Përvojat ndërkombëtare nuk i rekomandojnë këto norma. Siç kanë vlerësuar disa organizata ndërkombëtare, këto ndryshime janë bërë pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me ata që preken nga ky ndryshim, në veçanti bizneset.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024