Hoti kritikon reagimet e pushtetit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar reagimet e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

Ish-kryeministri Hoti ka thënë se reagimet e tyre do të kenë pasojë në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE) dhe në Bashkimin Evropian (BE).

“Reagimi i pushtetit për arrestimet e ditës së djeshme në KEK, duke e kritikuar dhe kërcënuar organin e akuzës, e jo duke e mbështetur atë dhe kërkuar drejtësi efektive, do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës e nesër në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ish-ministri i Financave, Hoti ka thënë se kjo do të evidentohet edhe në raportin e BE-së për vendin.

“Jam i sigurt se raporti për vendin i BE-së dhe raporte të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të evidentojnë me notë shumë negative këtë sjellje të mazhorancës në Kosovë ndaj arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni. Këto reagime duhet thënë se janë të paprecedent”, shkruan Hoti.

Ish-ministri I Financave, ka shtuar edhe disa pyetje për zyrtarët që kanë reaguar.

“Pse gjithë kjo frikë nga hetimi i aferave të mundshme korruptive? Pse sulmohet organi i akuzës nga Prishtina e nga Tirana, e nuk dënohet akti i mundshëm korruptiv dhe nuk kërkohet drejtësi? A mos janë këto afera të mundshme korruptive të lidhura me persona më larg dhe më lart? Kjo sjellje vë në pikëpyetje ‘gjoja’ reformën në drejtësi. Me këtë sjellje kjo mazhorancë e ka humbur besueshmërinë për çfarëdo reforme që tenton të bëjë në drejtësi”, ka shkuar Hoti.

Sipas Hotit një pushtet që tenton të pengojnë drejtësinë e minon demokracinë.

“Të gjithë ne duhet të tregojmë respektin dhe përkrahjen tonë për zyrtarët e drejtësisë për veprimin e tyre në ndalimin e akteve të mundshme joligjore në KEK. Me këtë veprim po tregohet se drejtësia në Kosovë është funksionale, e pandikueshme dhe e guximshme. Sigurisht se secili është i pafajshëm derisa të provohet ndryshe. Respekti i politikës ndaj drejtësisë tregohet me përkrahje dhe me kërkesë për drejtësi. Respekti tregohet edhe duke mbajtur gojën mbyllur”, ka shkruar ai.

Por nga ana tjetër, reagime të ashpra ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët akuzojnë organet e drejtësisë për arrestime të urdhëruara

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi ka pretenduar se arrestimi i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, është bërë me porosi.

“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV. Me porosi atëherë, me porosi gjithmonë, me porositës të njëjtë!”, shkroi Rrustemi në Facebook.

Ndërsa, të mërkurën, Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera institucionale nisi një aksion të gjerë duke bastisur Zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe dy banesa private që rezultuan të jenë në pronësi të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Pas aksionit, Prokuroria Speciale njoftoi se është arrestuar Nagip Krasniqi nën dyshimet për tri vepra penale.

Sipas Prokurorisë, drejtori i KEK-ut dyshohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi.

Liderët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë thënë se kjo është dëshmi e abuzimit të Qeverisë në sektorin e energjisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024