Skuadra e Feronikelit 74 ka siguruar transferimin e mesfushorit të mirënjohur, Herolind Shala.
Me një karrierë mbresëlënëse në arenën ndërkombëtare, Shala rikthehet në qytetin e origjinës së tij, Drenas, pas përvojave të suksesshme në kampionatet elitare si Çekia, Norvegjia dhe Danimarka. Mesfushori, i cili ka veshur fanellat e klubeve prestigjioze si Sparta e Pragës dhe Vålerenga, pritet të sjellë lidershipin dhe kualitetin e nevojshëm për të ndihmuar skuadrën në objektivat e sezonit në Superligën e Kosovës.
Lidhja e Shalës me Drenasin është e hershme, pasi prindërit e tij kanë emigruar nga ky qytet drejt Norvegjisë, ku edhe lindi futbollisti.
Pasi përfaqësoi Shqipërinë dhe Norvegjinë në nivelet e të rinjve, ai u bë një nga shtyllat e Përfaqësueses së Kosovës në debutimin e saj ndërkombëtar.
KosovaPress