Haxhi Shalës e Sabit Jonuzit iu vazhdohet paraburgimi
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Speciale e Hagës ua ka vazhduar masën e paraburgimit ish-komandantit të UÇK-së Haxhi Shala dhe ish-pjesëtarit Sabit Jonuzi. Kjo u bë e ditur sot në një konferencë për media nga zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, sipas të cilit gjykatësi ka marrë vendimin më 8 prill. “Ai konstatoi për të dy të akuzuarit se ekziston ende rreziku i arratisjes, pengimit të procesit gjyqësor dhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera, veçanërisht duke mbajtur parasysh se me ecurinë e procesit të nxjerrjes së materialeve, të akuzuarit kanë më shumë qasje në informacione të ndjeshme”, tha ai.

Sipas tij, në çështjen Januzi, Bahtijari dhe Shala, kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova më 5 prill caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur lidhur me kërkesën referuese të të akuzuarve me të cilën kundërshtojnë ndryshimet në rregulloren e ndihmës juridike nga Zyra Administrative. Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti. Aktakuza kundër Januzit dhe Bahtijarit është konfirmuar më 2 tetor 2023 dhe është bërë publike më 6 tetor 2023. Aktakuza kundër Haxhi Shalës është konfirmuar më 4 dhjetor 2023 dhe u bë publike më 12 dhjetor 2023. Më 12 janar 2024, pas kërkesës së saj për bashkimin e këtyre dy rasteve, PSP-ja ngriti propozim-akuzë të përbashkët, por gjyqtari i procedurës paraprake më 8 shkurt 2024 urdhëroi PSP-në që ta riparaqiste atë. Në ndërkohë, çështja e përbashkët do të vazhdojë në bazë të aktakuzave të konfirmuara aktualisht në të dy rastet, përkatësisht aktakuzën e konfirmuar më 2 tetor 2023 për rastin Januzi-Bahtijari dhe aktakuzën e konfirmuar më 4 dhjetor 2023 për rastin Haxhi Shala.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024