Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon më 10 maj
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Të hënën e kësaj jave, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Sipas gjykatës, vazhdon rreziku që ish-presidenti dhe ish-kryeparlamentari i Kosovës të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor. Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) do të vazhdojë më 10 maj me paraqitjen e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Në informimin javor të gjykatës është theksuar nevoja që gjykimi të përfundojë sa më parë që është e mundur.

Të hënën, më 17 prill, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi and z. Veseli. Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Thaçi and z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit dhe/ose të kryejnë vepra penale të tjera. Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Duke qenë se si z. Thaçi ashtu dhe z. Veseli, kanë qëndruar në paraburgim për një periudhë kohe të konsiderueshme, Trupit Gjykues dhe palëve u kërkohet të mbajnë parasysh nevojën që gjykimi të kryhet sa më shpejt që është e mundshme”, ka deklaruar Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Dëgjimi i dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, po zhvillohet i mbyllur për publikun.

Deri tani janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa dëshmitari i tretë i prokurorisë është paraqitur në gjykatore të enjten.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024