Në fshatin Prekaz të Poshtëm në Skenderaj janë gjetur mbetje mortore të tre viktimave, që dyshohet se i përkasin luftës së fundit, konkretisht listës së personave të zhdukur. Kështu bëri të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, derisa tregon se pritet që numri i trupave të gjetur mund të shkojë deri në pesë. Këtë e konfirmon edhe zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, i cili thotë se mbetjet mortore të tre trupave të gjetur janë dërguar për ekzaminim, derisa potencon se do t’i nënshtrohen procedurave mjekoligjore për identifikim.
Gara në një prononcim për Kosovapress tha se gërmimet ende nuk kanë përfunduar, derisa shton se dyshohet që janë të groposura mbetjet mortore të të paktën pesë personave, që i takojnë luftës së fundit.Lidhur me gërmimet në fshatin Prekaz të Poshtëm, Gara tregon edhe historikun se si kanë ardhur deri tek procesi i zhvarrosjes. Ai thotë se gjatë viteve 99’, forcat serbe policore i kanë groposur rreth 30 viktima, e që sipas tij pas luftës, ekipet ndërkombëtare mjekoligjore franceze kanë arritur t’i zhvarrosin rreth 27 prej tyre.
Tutje, ai potencon se nga këto 27 viktima, ekipet kanë identifikuar 23 prej tyre, derisa kanë lënë shënime edhe për katër kufomat që i kanë kthyer në këtë lokacion.
Ndër të tjera, Gara potencon se gërmimet në këtë fshat, shënojnë lokacionin e 12 brenda territorit të Republikës ë Kosovës. Ai shtoi se gjatë kësaj jave po vazhdojnë gërmimet në fshatin Shtavall në zonën e Senicës, në territorin e Serbisë në kufi me Bosnjën, derisa thotë se janë më se të sigurt që në këtë hapësirë vazhdon të ketë një varrezë masive./Z.Zeneli/