Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka reaguar publikisht duke shprehur keqardhje për mënyrën e komunikimit të përdorur ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Geci ka pranuar se shprehjet e tij nuk kanë reflektuar nivelin e komunikimit që ai përfaqëson dhe beson.
Deklarata e Gecit vjen pas një përplasje verbale në Kuvend, ku gjatë seancës për energjinë elektrike ai iu drejtua deputetes Çitaku me gjuhë denigruese.
“I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”, dëgjohet duke i thënë deputetes Çitaku.Ndërkohë, Grupi shumëpalësh për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG), sot ka reaguar duke dënuar fuqishëm gjuhën seksiste dhe fyese drejtuar Nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, gjatë diskutimeve të fundit në parlament.
“Sulmet seksiste që i targetojnë gratë në pozita udhëheqëse politike nuk janë thjesht incidente të izoluara. Ato janë thellësisht shqetësuese dhe mund të kontribuojnë në normalizimin e sjelljeve që dekurajojnë gratë dhe vajzat nga përfshirja në politikë dhe në institucionet publike. Diskursi i tillë ndihmon në krijimin e një mjedisi dekurajues, mund ta kufizojë pjesëmarrjen e plotë të grave në jetën politike e sferën publike, duke shkaktuar kështu pabarazi të thelluara. Rikujtojmë se Kushtetuta e Kosovës, Ligji për Barazi Gjinore, si dhe obligimet ndërkombëtare sipas CEDAË-së dhe Konventës së Stambollit, kërkojnë mbrojtjen e grave nga të gjitha format e diskriminimit dhe dhunës. SGG u bën thirrje udhëheqjes së Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë akterëve politikë që të refuzojnë publikisht gjuhën seksiste dhe denigruese, të respektojnë standardet e diskursit me dinjitet dhe të sigurojnë zero tolerancë ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave në politikë”, thuhet në reagim.